Sulmuesi Harry Kane ka ndërprerë negociatat me Tottenhamin për kontratën e re, ka njoftuar të hënën “Daily Mail”. Bëhet e ditur se Kane ka vepruar në këtë mënyrë për shkak të trajnerit Antonio Conte, e ardhmja e të cilit te Tottenhami mbetet ende e paqartë.
Conte ka kontratë me Tottenhamin deri në fund të sezonit, por ende nuk ka nisur bisedimet me klubin për vazhdimin e bashkëpunimit. Duke e parë këtë situatë të trajnerit, Kane ka vendosur që të mos ngutet për të ardhmen e tij, e cila thuhet se lidhet me trajnerin Conte.
Nëse Conte vazhdon me Tottenhamin, Kane do të firmosë kontratën e re, në të kundërtën do të largohet në fund të sezonit. Sulmuesi 29-vjeçar ka kontratë deri në vitin 2024 dhe këtë edicion ka shënuar dhjetë gola në 14 paraqitje në të gjitha garat.