Sport

Kanadaja e luan ndaj Belgjikës ndeshjen e parë në Botëror që nga viti 1986

Shumë tifozë kanadezë të futbollit kanë pritur për këtë moment tërë jetën e tyre.

Për një kohë të gjatë në hije të hokejit mbi akull në Kanada, përfaqësuesja e futbollit e këtij vendi është kthyer në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1986. Dhe në kthim do ta ketë një ndeshje shumë të vështirë. Do të takohet të mërkurën nga ora 20:00 me Belgjikën, gjysmëfinalisten e vitit 2018.

“Tashmë kam parë shumë interesim te lojtarët e rinj, 7-8 vjeçarët, disa prej tyre në familjen time”, ka thënë kapiteni i Kanadasë, Atiba Htchinson, të martën.

“Vetëm interesi që është ngjallur në vendin tonë është i veçantë për t’u parë. Kam qenë shumë gjatë me përfaqësuese dhe interesimi nuk ka qenë kurrë në këtë nivel”.

Hutchinson, 39-vjeçar, është lojtari i vetëm te Kanadaja që ishte gjallë në kohën kur u luajt ndeshja e fundit e kësaj përfaqësueseje në Kupën e Botës. Kanadaja kishte humbur nga Franca, Hungaria dhe Bashkimi Sovjetik. Madje nuk kishte shënuar asnjë gol.

“Duam ta vendosim Kanadanë në hartë”, ka thënë Hutchinson.

Kujtimet e tij më të hershme nga futbolli janë prej Kupës së Botës në SHBA. Ai kishte bërë tifo për Brazilin, që edhe fitoi Kupën e Botës.

“Isha atje. Tifozët në stadium, rreth stadiumit, ishte e veçantë për ta parë. Ai Botëror ngjalli shumë interes tek unë dhe më dha shpresën që një ditë të luaj në këtë ngjarje”, ka shtuar kapiteni kanadez.

Kanadaja megjithatë do të udhëhiqet nga gjenerata e re, që përfshinë Alphonso Daviesin, Jonathan Davidin dhe Cyre Larinin. Kanadezët ishin të parët në kualifikimet e CONCACAF-it. Selektori i Kanadasë, John Herdman, ka drejtuar futbollistet kanadeze drejt të bronztës në Lojërat Olimpike 2012 dhe 2016. Në vitin 2018 mori drejtimin e përfaqësueses së futbollistëve.

“Është ëndërr e realizuar për mua, për lojtarët, për vendin”, ka thënë Herdman. “Do të shijojmë përvojën dhe do të gëzohemi që ka njerëz në shtëpi që na përcjellin”.

Herdman ka thënë se ylli më i madh, Davis, është plotësisht i gatshëm dhe se do të startojë. Ai ka munguar disa javë për shkak të një lëndimi.

“Kanadaja është në gjendje që të startojë me ekipin më të fortë. Është kohë entuziazmuese për ne”, ka thënë Herdman.

Pjesë e grupit F, ku janë edhe Kroacia dhe Maroku, Belgjika po drejtohet nga Roberto Martinez në vitin e shtatë. Belgët përfunduan në vendin e tretë në “Botërorin 2018”, ndërsa u ndalën nga Italia në çerekfinale në Evropianin e vitit të kaluar.

Vlerësohet rasti i fundit për sukses në Botëror për gjeneratën e artë të Belgjikës.

Romelu Lukaku nuk do të luajë të mërkurën për shkak të një lëndimi. Belgjika vjen pas humbjes 2:1 në miqësore nga Egjipti, javën e kaluar.

“Ajo ndeshje na ofroi zgjimin për të cilin kishim nevojë”, ka thënë selektori Martinez për atë ndeshje.