Sport

Kampionia e Kosovës drejt Republika Srpskas, vendit ku nuk u mirëprit vitin e kaluar

Të premten pasdite lojtarët e kampiones së Kosovës në hendboll, Besa Famgas, nisen nga Peja për në Banjallukë. Banjalluka është qyteti më i madh i Republika Srpskas, njërit prej dy entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës. Banjalluka është e banuar kryesisht nga serbët.

Të dielën prej orës 18:00, Besa Famgas në palestrën “Borik” në Banjallukë takohet me Borcin, skuadrën e famshme të hendbollit nga ky qytet. Është ndeshja e parë e raundit të dytë të Kupës Evropiane.

Skuadra pejane për herë të tretë luan në Banjallukë. Kur udhëtoi për herë të parë, në vitin 2012, dallimi në cilësi ishte i madh, në të mirë të Borcit. Borci fitoi bindshëm dhe nuk kishte telashe për kampionen kosovare.

Ndryshe ishte vjet. Më 12 dhjetor, Besa fitoi 24:22 në Pejë ndaj Borcit banjallukas. Ndeshja u luajt pa praninë e shikuesve, për shkak të pandemisë, dhe pa asnjë telashe. I gjithë qëndrimi në Pejë i delegacionit të klubit që ka përkrahje institucionale nga Republika Srpska, ishte i qetë e pa telashe. Më 19 dhjetor u luajt ndeshja e kthimit. Ndeshja ishte e fortë dhe u vendos vetëm në aksionet e fundit. Borci fitoi 23:20 dhe avancoi tutje.

Qëndrimi i ekipit pejan në Banjallukë ishte i pakëndshëm, thënë së paku. I gjithë qyteti, e sidomos rruga nga hoteli deri në palestër ishte e mbushur me pano antishqiptare, përkatësisht pano që Kosovën e shohin pjesë të Serbisë. Në hyrje të palestrës, ku pjesëtarët e policisë ishin të shumtë, nga disa huliganë që ishin në distancë, pati fyerje dhe sharje në drejtim të lojtarëve dhe drejtuesve të Besës. U shanë shqiptarët e Kosova. Ndonëse dhjetëra metra larg, fyerjet e huliganëve u dëgjuan nga lojtarët e Besës. Sjellja e lojtarëve në fushën e lojës ishte korrekte, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët e Borcit në zhveshtore kënduan këngë antishqiptare. Dhe ato u dëgjuan mirë nga anëtarët e klubit kosovar.

Për pritjen jo shumë sportive, kishte reaguar edhe Federata e Hendbollit e Kosovës.

Në Banjallukë kishte shumë mbishkrime “Kosova është Serbi” dhe me katër “S”, që është simbol nacionalist serb. Në disa pano të tjera, harta e Kosovës ishte mbuluar me flamur të Serbisë.

“Bordi i FHK-së reagon ashpër për sjelljen antikosovare dhe antishqiptare në Banjallukë, me rastin e ndeshjes së kthimit të raundit të tretë të Kupës Evropiane në mes të klubit Borac nga Banjalluka dhe klubit tonë, Besa Famgas. Një ndeshje sportive e cila do të duhej të ishte në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve të mira mes klubeve, dërgimin e mesazhit të paqes dhe frymës sportive, u shndërrua në arenë të shprehjes së nacionalizmit dhe mosdurimit etnik. Ndonëse provokimet kanë ndodhur jashtë palestrës ku është luajtur ndeshja, megjithatë nikoqiri dhe vetë Komuna e Banjallukës është dashur paraprakisht të ndërtojnë frymë tolerante”, shkruan në reagimin që FHK-ja e kishte lëshuar më 22 dhjetor të vitit të kaluar e për të cilin ishte njoftuar edhe Federata Evropiane e Hendbollit.

Por përgjegjësit e EHF-së nuk kishin marrë përgjegjësi për ngjarjet jashtë sallës, duke vlerësuar se në sallë çdo gjë ishte e rregullt.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se së fundi përgjegjësit e EHF-së kanë pyetur Borcin dhe Besën nëse janë të gatshme të organizojnë ndeshjen, sidomos pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës. Opsion ka qenë edhe zhvillimi i takimeve në terren neutral. Por pasi mori konfirmimet e dy klubeve se janë të gatshme për të organizuar ndeshjet pa telashe, EHF-ja vendosi që ato të luhen në Banjallukë dhe në Pejë. Ndeshja e kthimit në Pejë është më 24 tetor nga ora 18:00.

EHF-ja ka pranuar se bëhet fjalë për ndeshje të ndjeshme. Ndeshjet këtë herë mund të jenë më sfiduese për faktin se do të lejohen tifozë. Borci, për shembull, ka nxjerrë në shitje 500 bileta. Por në palestër pritet të ketë më shumë se 500 persona.

Borci ka përtërirë ekipin për këtë edicion, por megjithatë synon ta kalojë Besën. Edhe kampionia kosovare ka bërë ndryshime të mëdha në përbërje. Është ndarë me lojtarë si Bujar Ramosaj, Drilon Tahirukaj, Victor Alonso, Charalampos Mallios e Yll Visoka. Po ashtu me trajnerin spanjoll Javier Cabanas. Ndërkohë ka marrë Deniz Terziqin dhe lojtarët nga Mali i Zi, Denis Shabanoviq e Balsha Raçiq. Besa ka më pak lojtarë në të cilët llogaritet për ndeshje kaq të forta, por megjithatë synon të avancojë ndaj Borcit, dikur klubit më të mirë në Evropë. Shumë varet prej ndeshjes së parë në Banjallukë. Zhvillimi i ndeshjes së dytë në Pejë është përparësi për kampionen kosovare. Pejanët pos lojtarët rivalë në fushë duhet të përballojnë edhe zhvillimin e ndeshjes në një ambient jo të këndshëm.