Mbrojtësi Pierre Kalulu do të mbetet edhe për shumë vite pjesë e skuadrës së Milanit. “Calciomercato” ka njoftuar të enjten se francezi së shpejti pritet ta rinovojë kontratën me kampionin në fuqi të Italisë. Me rinovimin e kontratës, Kalulu do të jetë pjesë e Milanit deri në vitin 2027 dhe do të ketë pagë vjetore prej një milion eurosh.
Francezi 22-vjeçari ka treguar paraqitje të mira këtë sezon dhe klubi po dëshiron ta mbajë për një periudhë më të gjatë në radhët e veta. Zyrtarizimi i arritjes së marrëveshjes pritet të bëhet muajin tjetër, pasi palët parimisht janë dakorduar për të gjitha kushtet.
Kalulu këtë edicion ka 20 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa Milanit iu bashkua në vitin 2020 nga Lyoni. Kontrata e tij aktuale i skadon në vitin 2025.