Mbiemri Çitaku është ngushtë i lidhur me pingpongun kosovar. Nehat Çitaku vazhdon të mbetet emër i njohur i pingpongut kosovar. Ai ishte pjesë e proceseve të rëndësishme për këtë sport. Për kohë të gjatë e ka udhëhequr Federatën e Pingpongut të Kosovës.
Por tash e tutje Nehat Çitaku do ta drejtojë një tjetër federatë sportive në vend. Pingpongisti i njohur të shtunën është zgjedhur kryetar i Federatës së Autosporteve të Kosovës. Çitaku ishte kandidati i vetëm për kryetar në FASK-së. Ish-kryetari i Federatës së Pingpongut ka kaluar në FASK me idenë e Ismet Rexhepit, kryetarit të deritashëm të Federatës së Autosporteve.
Në të vërtetë autosportet janë zhvilluar goxha shumë në vend në kohën e Rexhepit, që e udhëhoqi për dy mandate Federatën. Statuti i kësaj federate nuk lejon mandat të tretë dhe për këtë arsye Rexhepi është zhvendosur në pozitën e nënkryetarit.
Çitaku ka premtuar se do të punojë me përkushtimin më të madh për Federatën e Autosporteve , ndërsa pret përkrahje e ndihmë edhe nga të tjerët në Federatë. Natyrisht do të ketë përkrahje të madhe nga Ismet Rexhepi.
“Dëshiroj të kontribuoj edhe në FASK. Këtu ka hapësirë për të çuar gjërat përpara”, ka thënë Nehat Çitaku të dielën për KOHËN.
Ai e ka udhëhequr Federatën e Pingpongut nga viti 2012 e deri në vitin 2020. Në biografinë e Çitakut shkruan se ka mundësuar dhe finalizuar procesin e njohjes së FPPK-së në Federatën Ndërkombëtare në vitin 2003 dhe Federatën Evropiane po ashtu në vitin 2003. Çitaku për dy vjet ishte sekretar gjeneral i FPPK-së, ndërsa ka mbajtur edhe pozita tjera udhëheqëse në këtë federatë.
FPPK-ja është e njohur si federata e parë sportive kosovare e pranuar në asociacionet ndërkombëtare. Këtë e ka bërë shumë më herët se të tjerat, por pingpongu nuk ka përfituar shumë prej pranimit në aspektin e ngritjes së cilësisë dhe masivitetit.
Çitaku para delegatëve të Federatës së Autosporteve ka prezantuar një program me gjashtë pika: ngritja e kapaciteteve njerëzore, komunikimi dhe transparenca, sponsorizimi dhe financimi, projekti i pistës në Sllatinë, plotësim ndryshimi i të gjitha dokumenteve zyrtare të FASK-ut dhe plani strategjik.
Një vit më parë Nehat Çitaku humbi në garë për kryetar të FPPK-së. Në vend të tij u zgjodh Jeton Beqiri, që konkurrent e kishte vetëm Çitakun.
Prej atëherë Çitaku është anëtar i Bordit në Federatën e Autosporteve. Tani është zgjedhur kryetar me propozim të Ismet Rexhepit.
“Me fushën e automobilizmit më lidh fakti se babai im ka pasur servis veturash për mbi 40 vjet. Edhe unë e kam kaluar një pjesë të jetës në punëtorinë e babait”, ka theksuar Çitaku.
Ai, megjithatë, nuk do të largohet nga pingpongu.
“Do të vazhdoj të merrem me pingpong si pjesëmarrës në gara vendore dhe ndërkombëtare për veteranë. Do të jap kontributin tim në klub por edhe në Unionin Mesdhetar të Pingpongut, ku jam nënkryetar”, ka theksuar Çitaku.
Ai ka folur edhe për humbjen e garës në FPPK, një vit më parë.
“Mosbesimi është vegël demokratike por është përdorur në momentin kur Federata e Pingpongut ka qenë në kulmin e saj si për nga organizimi, sukseset, financat dhe raportet me institucionet vendore e ndërkombëtare. Në fakt, mua më është ofruar prapë të jem pjesë e udhëheqjes nga kryetari i tashëm. Por po preferoj të vazhdoj me menaxhimin sportiv në një sport tjetër, me qëllimin më të mirë që të kontribuoj edhe në këtë sport”, ka theksuar Nehat Çitaku.
Të dielën, në krye të Federatës së Karatesë u zgjodh edhe për një mandat Ismet Krasniqi, që ka paraqitur kandidaturë edhe për kryetar të Komitetit Olimpik të Kosovës. Ndërkohë në krye të Federatës së Tenisit ka ardhur Jeton Hadërgjonaj.
Ndryshimet nëpër federata po bëhen në kuadër të zgjedhjeve që do mbahen edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës pas një muaji.