Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rexhepi nis mandat të ri në krye të FASK-ut, ndonëse të dytin e kishte përfunduar në muajin mars

Ismet Rexhepi është zgjedhur kryetar i Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK). Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor është mbajtur të mërkurën, ndërsa Rexhepi mori besimin për herë të tretë në krye të FASK-ut. Kthimi i Rexhepit në krye të FASK-ut është bërë tetë muaj pasi e kishte përfunduar mandatin e dytë. Ai në krye të kësaj federate u zgjodh pas largimit të Nehat Çitakut.

Në njoftimin e FASK-ut thuhet se Çitaku në letrën dërguar delegatëve të Kuvendit të Federatës ka bërë të ditur se u largua për arsye personale dhe familjare.

Çitaku ka treguar se dorëheqjen e ka dhënë dy muaj më herët, ndërsa ka shtuar se “i është dhimbsur koha që e humbte atje”.

Rexhepi është zgjedhur me votat e 18 delegatëve prej 20 sa njoftohet se numëron Federata e Auto Sportit të Kosovës. Në periudhën disamuajshe nën drejtimin e Çitakut, Ismet Rexhepi mbajti postin e nënkryetarit të FASK-ut.

“Ju falënderoj për besimin. Pavarësisht nëse kam qenë kryetar apo në një pozitë tjetër, përkushtimi im ka qenë shumë serioz, ndërsa tash e tutje do të jetë edhe më i madh. Kjo për faktin se, sidomos pas garës në Portugali, qasja ndaj Federatës sonë është shumë më pozitive dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment. Besoj fuqishëm se bashkë me të gjithë ju do arrijmë suksese dhe ndryshime edhe më të mëdha. Do të ndërmarrim veprime kapitale, qoftë në infrastrukturë, organizim apo pjesëmarrje në më shumë gara ndërkombëtare”, ka thënë Rexhepi me t’u shpallur për herë të tretë kryetar i FASK-ut.

Edhe Ka një jetë në pingpong, por Nehat Çitaku tani do ta udhëheqë Federatën e Autosporteve Sport Ka një jetë në pingpong, por Nehat Çitaku tani do ta udhëheqë Federatën e Autosporteve

Rexhepi në krye të FASK-ut për herë të parë erdhi në vitin 2013, ndërsa fitoi edhe një tjetër mandat të cilin e kreu në mars të këtij viti. Por, shpejt është kthyer në krye të FASK-ut edhe për mandatin tjetër.

Në nenin 25 të statutit të kësaj federate shkruan se “mandati i kryetarit, nënkryetarëve dhe anëtarëve të tjerë të Bordit është 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje edhe 1 mandat”.

Në të vërtetë, autosporti vlerësohet se është zhvilluar goxha shumë në vend në kohën e Rexhepit.

Ish-pingpongisti, Nehat Çitaku nuk është pishman që kishte vendosur të kandidonte dhe më pas të zgjidhej kryetar i Federatës së Auto Sportit të Kosovës. Ai në këtë post u zgjodh me propozim të Rexhepit.

Në fakt, Çitaku lidhet më shumë me Federatën e Pingpongut të Kosovës, të cilën e

e ka udhëhequr nga viti 2012 e deri në vitin 2020. Por numëron disa të arritura të FASK nën drejtimin e tij.

Edhe Agron Dida zgjidhet kryetar i FASK-ut Sport Agron Dida zgjidhet kryetar i FASK-ut

“Po bëhen gati dy muaj prej se unë jam larguar nga posti i kryetarit të Federatës, ndërsa pash që dje e kanë mbajtur kuvendin. Dorëheqja ime lidhet thjeshtë për arsye personale dhe familjare, pasi isha shumë i dhënë pas asaj pune dhe më shkonte kohë bukur e mirë dhe nuk e pashë veten në atë rreth. Më është dhimbsur koha që e humbja atje. Disi nuk më është dukur e arsyeshme të vazhdoj. Janë bërë disa punë të mira aty, kemi fituar dy grante nga FIA diku me vlerë rreth 27 mijë euro. Njëri grant ka pasur të bëjë me bashkëpunimin me Kryqin e Kuq dhe përpilimin e raportit për impaktin e automobilizmit në ekonominë e Kosovës. Kemi sjellë një frymë të re dhe po ashtu janë forcuar më shumë marrëdhëniet me institucionet e vendit dhe federatat ndërkombëtare”, ka thënë Çitaku të enjten për KOHËN.

KOHA ka provuar të kontaktojë me Rexhepin të enjten, për ta pyetur edhe nëse rizgjedhja e tij është në pajtim me statutin. Por, ai nuk e ka hapur telefonin.