Jeton Hadërgjonaj do të udhëheqë me Federatën e Tenisit të Kosovës deri në vitin 2024. Hadërgjonaj të dielën fitoi garën me kryetarin e deritashëm të Federatës së Tenisit, Mejdi Rexhepi. Ky ndryshim ndodhi gjatë Kuvendit Zgjedhor të FTK-së, ku u zgjodhën edhe nënkryetarët dhe anëtarët e Bordit.
Nënkryetarë të Federatës së Tenisit të Kosovës janë zgjedhur Blerina Mati e Ylber Shamolli, ndërsa anëtarë të Bordit janë zgjedhur Driton Latifi e Lorik Haxhishabani. Bordi do të kompletohet edhe me dy emra të rinj të përzgjedhur nga kryetari i ri.
Mejdi Rexhepi ka udhëhequr me Federatë nga viti 2017. Por tani 34 delegatët e Federatës së Tenisit kanë vendosur për një tjetër udhëheqës.
Si rrallë në të kaluarën, ndryshime të njëkohshme janë bërë në shumë federata sportive. Por kryesisht të sporteve të “vogla”.
FFK-ja nuk ka organizuar zgjedhje së fundi, ndërsa në dhjetor në krye të FBK-së u rizgjodh Arben Fetahu. Eugen Saraçini fitoi një tjetër mandat në krye të FHK-së, ndërsa Federata e Volejbollit nuk e ka mbajtur ende Kuvendin Zgjedhor. Kjo pritet të ndodhë brenda pak ditëve dhe ka gjasë për një udhëheqës të ri në këtë federatë.
Ndryshimet që kanë ndodhur në federata dhe ato që priten në ditët e ardhshme, po përcillen me vëmendje nga kandidatët për president të KOK-ut. Zgjedhjet në Federata do të kenë ndikim direkt në garën e fortë për të parin e Komitetit Olimpik të Kosovës. Asambleja e Punës dhe Zgjedhore e KOK-ut është përcaktuar të mbahet më 25 mars. Deri atëherë të gjitha federatat do të kryejnë procesin zgjedhor, që të zgjedhin organet e reja dhe të fillojnë ciklin e ri olimpik.
Federatat përcaktojnë delegatët për Asamblenë e KOK-ut dhe rrjedhimisht Federatat me udhëheqësi të reja do të dërgojnë edhe delegatët e rinj. Kandidatët që synojnë postin e presidentit të KOK-ut, apo të paktën disa prej tyre, janë duke lobuar fuqishëm për të mbledhur vota. Shtrirja e ndikimit në federata mund të jetë vendimtare.
Në fundjavë pos në Federatën e Tenisit udhëheqësit janë ndërruar edhe në disa federata tjera.
“Jam i nderuar dhe i obliguar për t’i shërbyer sportit të bardhë. Faleminderit për të gjithë delegatët. Faleminderit për ish-kryetarin Rexhepi për korrektësi”, ka shkruar Hadërgjonaj.
Federata e Autosporteve të Kosovës në mandatin e ri do të drejtohet nga Nehat Çitaku, ish-udhëheqës shumëvjeçar i Federatës së Pingpongut. Çitaku një vit më parë kishte humbur garën në FPPK dhe tashmë do të drejtoj autosportet. Ai ka pasur përkrahjen e kryetarit të deritashëm të Federatës së Autosporteve, Ismet Rexhepil, që ka kaluar në postin e nënkryetarit. Statuti i Federatës i ka pamundësuar Rexhepit që të kandidoj për mandatin e tretë.
“Dëshiroj të kontribuoj edhe në Federatën e Autosporteve, ashtu si kam kontribuuar në Federatën e Pingpongut. Ka hapësirë për t’i çuar gjërat përpara”, ka thënë Çitaku për KOHËN. Ai nuk do të shkëputet nga pingpongu. Do të mbajë një pozitë në Unionin Mesdhetar të Pingpongut dhe do të japë kontributin në klub. Çitaku gjithashtu do të luajë te veteranët, por fokusi i tij si drejtues do të jetë në Federatën e Autosporteve.
Bord të ri ka zgjedhur edhe Federata e Shahut e Kosovës. Armend Budima është zgjedhur kryetar të dielën, ndërsa e ka zëvendësuar Nysret Avdiun, që ishte në krye të shahistëve për kohë të gjatë. Kundërkandidat të Budimës ishin Faik Shatri e Shehrije Gërbeshi.
Në Federatën Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës, kryetar i ri u zgjodh Arianit Nikqi. Deri më tani bjeshkatarët i ka udhëhequr Arben Lila. Dy kandidatë ishin për kryetar të FBAK, ndërsa votat i mori Nikqi.
“Gara për kryetar e më shumë se një kandidati kishte domethënie të rëndësishme, duke ngritur nivelin e demokracisë zgjedhore”, thuhet në njoftimin e FBAK-ut.
Në ditët e ardhshme do të mbajnë kuvendet zgjedhore edhe Federata e Notit, Boksit, Atletikës, Volejbollit e ndonjë federatë tjetër. Në shumicën prej tyre, nëse jo në të gjitha, pritet të zgjidhen kryetarë të rinj.
Të dielën e mbajti Kuvendin Zgjedhor edhe Federata e Karatesë e Kosovës. Kandidati për të parin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, fitoi edhe një mandat për të udhëhequr me karateistët.
“Ismet Krasniqi do të jetë edhe një mandat kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës. Këtë ia besuan 49 delegatët e FKK-së të pranishëm e me të drejtë vote”, ka njoftuar FKK-ja.
Besim Hasani po e synon edhe një mandat për president të KOK-ut, ndërsa konkurrentë të tij janë Ismet Krasniqi i karatesë, Milaim Kelmendi i skijimit dhe Linda Shala e basketbollit. Është lënë e hapur mundësia që të kandidojë edhe Afërdita Fazlija e Departamentit të Sportit. Ajo nuk e ka pohuar e as mohuar kandidaturën.
Në tri javët në vazhdim, kandidatët i pret punë e madhe për të bindur kuvendarët. Gara për të parin e KOK-ut vlerësohet e fortë si asnjëherë më parë.