Kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Nehat Çitaku, ka akuzuar kryetarin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, dhe sekretarin e përgjithshëm, Besim Aliti, për trysni ndaj delegatëve të FPPK-së. Çitaku ka paraqitur akuza të tjera, ndërsa të gjitha janë mohuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës. KOK-u thotë se bëhet fjalë për “shpifje të orkestruara nga një grup i vogël”
Kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Nehat Çitaku, u është drejtuar të martën me një letër të hapur anëtarëve të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës. Çitaku ka kërkuar nga anëtarët e Bordit të KOK-ut që të kërkojnë dorëheqje të parevokueshme të kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe sekretarit të përgjithshëm të KOK-ut, Besim Aliti.
Në letrën publike, Çitaku ka paraqitur mal akuzash ndaj Krasniqit dhe Alitit. Ka shkruar se dy drejtuesit e KOK-ut bëjnë ndërhyrje brutale në Federatën e Pingpongut. Çitaku ka shkruar se Krasniqi e Aliti kanë ndikuar në procesin zgjedhor për kryetar të Federatës së Pingpongut. Përmes letrës, Çitaku pretendon se drejtuesit e klubeve të pingpongut kanë pasur trysni për të votuar për kundërkandidatin e tij për kryetar të FPPK-së. Madje ka akuzuar se edhe një prift kishte marrë instruksione për të ushtruar ndikimin e tij te një klub i pingpongut.
“Kulminacioni u arrit kur sekretari gjeneral i KOK-ut thërret në telefon kryetarin e të vetmit klub serb që të votojë për kandidatin e tij të preferuar, në këmbim të realizimit të disa projekteve”, ka shkruar Nehat Çitaku, duke pretenduar se kryetari dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut ende angazhohen për të përçarë Federatën e Pingpongut.
Ai ka akuzuar edhe për fshirje të komenteve në faqen zyrtare të KOK-ut në Facebook, si dhe moslejimin e përgjigjes nga një ligjëruese e huaj në një seminar të KOK-ut për integritet në sport.
“Të nderuar anëtarë të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, kërkoj nga ju që të reflektoni, duke kërkuar llogari për këto abuzime ndaj zyrtarëve të FPPK-së nga udhëheqësit tuaj dhe nëse këto vërtetohen të kërkoni respektimin e Statutit të KOK-ut dhe Kartës Olimpike duke kërkuar dorëheqjen e parevokueshme dhe të menjëhershme të kryetarit dhe sekretarit të përgjithshëm të KOK-ut”, shkruan në letrën e Nehat Çitakut.
Ai ka njoftuar se tashmë i ka shkruar Njësisë për Integritet të Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut dhe asaj të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Kësaj njësie të IOC-së, sipas letrës publike, i janë dërguar letra edhe për zhvillimet në Federatën e Taekwondos dhe atë të Notit të Kosovës.
Nëse nuk ka reagim, Çitaku ka shkruar se shumë shpejt mund të vijë deri te suspendimi i përkohshëm i KOK-ut nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
Në Komitetin Olimpik të Kosovës kanë mohuar plotësisht akuzat publike të Nehat Çitakut. Kanë thënë se bëhet fjalë për shpifje të orkestruara dhe atë nga një grup i vogël.
“Akuzat e tilla janë shpifje të orkestruara nga një grup i vogël, të cilët si çdo vit dhe kryesisht para Asamblesë së Punës nisin fushata të tilla, duke u munduar të gjejnë forma të ndryshme për të tentuar minimizimin e sukseseve të mëdha të KOK-ut. Krejt kjo ndodh në vitin më të suksesshëm në histori të KOK-ut dhe sportit kosovar si: Marrja e organizimit të lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”, organizimi i Platformës Evropiane të Sportit 2024, akreditimit të Akademisë Olimpike, ngritjes së kapaciteteve organizative, njerëzore dhe buxhetore, si dhe në vitin rekord të mbështetjes së sportistëve dhe trajnerëve. Sidoqoftë, deklarimet e tilla të pabaza do të kenë mundësinë të sqarohen tek vendi i diskutimeve, e që është Asambleja e Punës”, thuhet në një përgjigje me shkrim të KOK-ut për KOHËN.
Ka kohë që në rrethet sportive, sidomos në federatat sportive, është temë procesi zgjedhor në KOK e po ashtu në vetë federatat. Tashmë ka dy grupe që pretendojnë ta drejtojnë KOK-un në mandatin e ri. Udhëheqja aktuale ka mandat edhe shumë muaj, por lobimi i fuqishëm ka kohë që ka nisur. Dhe kjo, si zakonisht, largon fokusin nga sporti dhe gjithë energjinë e orienton drejt fitimit të zgjedhjeve.