Mbrojtësi i krahut të majtë, Alejandro Grimaldo, do të jetë futbollist i Juventusit, ka njoftuar “Tuttosport” të mërkurën. Grimaldo ka arritur marrëveshje personale me Juventusin, ekip të cilit do t’i bashkohet vitin e ardhshëm.
Grimaldo, përfundimisht, ka refuzuar rinovimin e kontratës me Benfican pasi ka vendosur të largohet në fund të sezonit. Ai do t’i bashkohet Juventusit verën e ardhshme si lojtar i lirë dhe do të firmosë kontratë katërvjeçare.
Te Juventusi, Grimaldo do ta zëvendësojë brazilianin Alex Sandro, të cilit klubi italian nuk do t’ia vazhdojë kontratën.
Spanjolli 27-vjeçar është pjesë e Benficas prej vitit 2016 kur iu bashkua nga ekipi i dytë i Barcelonës. Ai këtë edicion ka një gol e tri asistime në të gjitha garat.