Trajneri Massimiliano Allegri është shndërruar në armikun numër një për tifozët e Juventusit, pasi ekipi italian të mërkurën mbrëma pësoi humbje në Torino nga Benfica. Humbja vështirëson kalimin e fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Mbështetësit e Juventusit i bënë ndjenjat e tyre të dëgjuara, me zë të lartë dhe të qartë të mërkurën mbrëma, kur me një breshëri fishkëllimash dhe brohoritjesh “përshëndetën” humbjen 2:1. Ishte kulmi i pakënaqësisë disamujore me njeriun që e udhëhoqi skuadrën e dashur të tyre drejt pesë titujve të Serie A. Zero pikë nga dy ndeshje e kanë lënë Juventusin të ngecë në Grupin H, gjashtë prapa Benficas dhe liderit Paris Saint-Germainit.
Mesazhi “Allegri jashtë” po shpërndahet shumë nga tifozët nëpër mediat sociale. Të enjten, “Gazzetta Dello Sport” e përshkroi paraqitjen e dobët të Juves si “fundin e një epoke” për Allegrin, trajnerin që i “ka shfrytëzuar të gjithë kreditin e grumbulluar kur fitoi gjithë ata trofe dhe u fut në dy finale të Ligës së Kampionëve”.
Allegri, 55 vjeç, u kthye te Juve verën e kaluar me shpresën për ta ringjallur klubin më të madh të Italisë, pasi Maurizio Sarri dhe Andrea Pirlo dolën të dy të ishin zëvendësues të pamjaftueshëm për njeriun që në periudhën e tij të parë e bëri skuadrën një forcë në Evropë. Megjithatë rikthimi nuk ka shkuar sipas planit, me Juventusin që përfundoi 16 pikë prapa kampionit, Milanit, sezonin e kaluar dhe e nisi dobët këtë edicion.
Juve ka pasur probleme të mëdha me lëndime në fillim të sezonit dhe Allegri ishte pa lojtarë si Paul Pogba, Manuel Locatelli dhe Federico Chiesa, duke qenë në gjendje të llogariste vetëm tek Angel Di Marian si zëvendësues në pjesën e dytë. Por lojtarët në dispozicion janë më të mirë se bilanci prej dy fitore nga tetë ndeshje hapëse të Juventusit në Itali e Evropë. Dhe mbi të gjitha janë më të aftë për paraqitje të një standardi më të lartë se sa është parë deri më tani. Edhe paraqitja ndaj Benficas nuk ishte aspak e mirë, ndonëse Juventusi pati një start të furishëm dhe kaloi në epërsi në fillim të takimit. Në minutën e katërt, pas harkimit të Leandro Paredesit, sulmuesi Arkadiusz Milik – njëri prej pak pikave të ndritura – zhbllokoi rezultatin duke shënuar me kokë. Megjithatë, Juventusi nuk bëri më lojë të mirë pas epërsisë dhe Benfica u kundërpërgjigj me dy gola. Fillimisht barazoi me penalltinë e realizuar nga Joao Mario në fund të pjesës së parë, ndërsa në fillim të pjesës së dytë e shënoi edhe golin e fitores me brazilianin David Neres.
Në fakt Juventusi do të mund të kishte pranuar edhe më shumë gola sikur portieri Mattia Perin dhe kapiteni Leonardo Bonucci të mos ishin në nivelin e tyre më të mirë të lojës. Përkundër disfatës, Allegri këmbënguli se “nuk ndihet i rrezikuar” për ta humbur punën e tij, por rezultatet e ekipit nuk janë përmirësuar që nga kthimi i tij. Për dallim prej Juventusit, që nuk po luan aspak futboll atraktiv, Milani dhe Napoli po shkëlqejnë në grupet e tyre të Championsit. Milani ka tubuar katër pikë, ndërsa Napoli gjashtë, falë lojës aktraktive dhe sulmuese. Kapiteni Leonardo Bonucci u përlot kur ai dhe pjesa tjetër e shokëve të skuadrës iu afruan tifozëve të Juventusit në fund të ndeshjes dhe u sulmuan me ofendime. Ai dukej i humbur në përgjigjet se çfarë po shkonte keq.
“Jemi në një periudhë në të cilën luftojmë për të bërë gjithçka”, tha Bonucci. “Jam i shqetësuar, nuk mund ta fsheh, sepse ne zhdukemi shumë shpesh në ndeshje dhe nuk e di nëse është një problem mendor apo fizik. Nuk e di, por kjo është ajo që më shqetëson”.
Thellësia e antipatisë nga tifozët - disa prej të cilëve janë gjithashtu në konflikt me klubin për ato që ata i konsiderojnë çmimet e larta të biletave - u theksua nga vendet bosh në tribuna për një ndeshje vendimtare në grup. Humbja ka dëmtuar rëndë shanset e Juventusit për të kaluar në fazën e eliminimit.