Federico Chiesa do të jetë mungesa e madhe e Juventusit në debrin e qytetit ndaj Torinos, kanë njoftuar mediumet italiane të premten. Mungesën e sulmuesit të Italisë e ka konfirmuar edhe trajneri Massimiliano Allegri.
Ai ka thënë se Chiesa nuk do të përfshihet në ekip ndaj Torinos për shkak të një problemi muskulor dhe pritet të rikthehet në fund të këtij muaji. Dueli mes Juventusit dhe Torinos zhvillohet të shtunën prej orës 18:00 dhe i takon xhiros së tetë të kampionatit italian.
Këtë edicion Chiesa është lojtari kryesor i Juventusit. Në 7 paraqitje kampionale, Chiesa ka shënuar 4 gola dhe ka bërë 1 asistim.
Aktualisht Juventusi është i katërti në tabelë me 14 pikë, pesë më shumë se Torino që zë vendin e 10-të.