Te skuadra e Juventusit janë të vendosur për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Tottenhamit, danezit Christian Eriksen, kanë njoftuar mediumet italiane të hënën.
Bëhet e ditur se Juventusi i ka bërë një ofertë ekipit londinez që mund të realizohet gjatë afatit kalimtar të janarit. Për Eriksenin ka ofruar kartonin e francezit Adrien Rabiot.
Tottenhami tashmë ka vendosur ta shesë Eriksenin në janar, pasi danezi ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon në fund të këtij edicioni, transmeton Koha Ditore. Erikseni pëlqehet shumë nga trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, që është i gatshëm ta liroj Rabiotin.
Ky i fundit te Juventusi u transferua si futbollist i lirë para fillimit të këtij edicioni, por nuk ka bindur me aftësitë e tij. Rabioti ka vetëm tri paraqitje këtë edicion në të gjitha garat.