Skuadra e Juventusit ka shprehur interesim për mesfushorin e Arsenalit, Thomas Partey kanë bërë të ditur mediumet italiane të mërkurën. Partey pëlqehet nga trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri që e sheh ganezin si përforcim të rëndësishëm për mesfushën.
Te Juventusi janë të gatshëm ta transferojnë Parteyn gjatë afatit kalimtar të janarit, ndonëse 28-vjeçar aktualisht po merr pjesë në Kupën e Afrikës. Juventusi ka kontaktuar tashmë Arsenalin dhe i ka propozuar një shkëmbim pasi Partey nuk ka bindur me paraqitjet e tij tek ekipi anglez. Për Parteyn, Juventusi ka ofruar brazilianin Arthur Melo, i cili pëlqehet nga trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.
Si Partey ashtu edhe Arthuri, vlerësohen rreth 40 milionë euro dhe shkëmbimi i tyre mund të ndodhë gjatë këtij muaji. Partey ka kontratë me Arsenalin deri në vitin 2025 dhe këtë sezon ka shënuar një gol në 17 ndeshje, ndërsa Arthuri ka 11 paraqitje me Juventusin. Ai ka kontratë me ekipin italian deri në vitin 2025.