Mesfushori francez Adrien Rabiot nuk ka të ardhme te skuadra e Juventusit, kanë njoftuar mediumet italiane të martën. Bëhet e ditur se drejtuesit e Juventusit tashmë kanë marrë vendim për ta nxjerrë në shitje Rabiotin në fund të këtij sezoni dhe tashmë kartonin e tij ua ka ofruar disa skuadrave.
Mësohet se Evertoni dhe Barcelona janë ekipet që i ka kontaktuar Juventusi për shitjen e Rabiotit pasi më herët kishin treguar interesim për francezin. Rabiot nuk ka bindur me paraqitjet e tij te Juventusi dhe ekipi italian për ta lënë të lirë po kërkon të paktën 30 milionë euro.
26-vjeçari pëlqehet si nga Evertoni ashtu edhe nga Barcelona, ekipe që pritet të nisin negociatat me Juventusin. Rabiot ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2023 dhe ekipit nga Serie A iu bashkua në vitin 2019 si lojtar i lirë. Këtë sezon, Rabiot ka shënuar tri gola dhe ka bërë dy asistime në 41 ndeshje në të gjitha garat.