Juventusi ka parakaluar Real Madridin dhe Bayernin në garë për Antonio Ruedigerin, dhe thuhet se është favorit për transferimin e mbrojtësit gjerman. Kështu, ka shkruar të mërkurën e përditshmja italiane “Gazzetta dello Sport”.
Bëhet e ditur se Juventusi ka arritur marrëveshje në parim me Ruedigerin, i cili në verë do të jetë lojtar i lirë pasi i skadon kontrata me Chelsean. Atij i është ofruar nga ekipi italian pagë vjetore prej shtatë milionë eurosh, të cilën e ka pranuar. Ruediger ka refuzuar përfundimisht rinovimin e kontratës me ekipin nga Londra, i cili po vuan sanksionimin e pronarit Roman Abramovich nga Qeveria britanike.
29-vjeçari është pjesë e Chelseat prej vitit 2017 kurse karrierë ka bërë edhe te Roma e Stuttgarti. Këtë sezon, Ruediger në 40 ndeshje në të gjitha garat, ka shënuar tri gola dhe ka bërë katër asistime.