Juventusi ka fituar me rezultat zyrtar prej 3-0 sfidën e pazhvilluar ndaj Napolit, ka marrë vendim Komisioni Disiplinor.
Napoli nuk kishte udhëtuar fare në Torino ndeshjen e javës së tretë të Serie A, më 4 tetor, pasi kishin dy futbollistë pozitivë me koronavirus, Piotr Zielinski dhe Eljif Elmas, transmeton KOHA.
Napoli kishte thënë se e kishte ndaluar udhëtimin nga autoritetet lokale, që i kishin kërkuar ekipit të futet në izolim.
Megjithatë, Komisioni Disiplinor ka thënë se Napoli nuk kishte arsye të mjaftueshme që të mos ishte prezent në këtë sfidë, pasi kishin vetëm dy lojtarë me koronavirus.
Përveç humbjes me rezultat zyrtar, Napolit gjithashtu i është hequr një pikë, si dënim për mosrespektimin e protokollit.
Napoli pritet të apelojë këtë vendim.