Promotori britanik Eddie Hearn thotë se Anthony Joshua me padurim po pret të ndeshet me Tyson Furyn dhe ta realizojë ëndrrën që të bëhet kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë në boks, raporton BBC.
Meçi mes Furyt e Joshuas është shtyrë, pas vendimit se Fury duhet ta mbrojë titullin e botës në versionin WBC kundër amerikanit Deontay Wilder.
Joshua këtë fundjavë mbron titujt e botës në versionet WBA, IBF dhe WBO, tri versionet e tjera të mëdha në boksin profesionit kundër ukrainasit Oleksandr Usyk.
“Kam pasur zero përkrahje nga ekipi i Furyt që kjo luftë të realizohet. Nuk dua të flas keq për ekipin e Furyt, por nuk u besoj atyre. Vërtetë, fillimisht duhet të shikojmë veten dhe punën tonë, që është Oleksandr Usyk. Tash ka rëndësi vetëm kjo luftë. Besoj se Tyson Fury do të përballet me Anthony Joshuan. E dimë se është meçi më i madh në boks në aspektin financiar. E di se Anthony do të ndeshet me Tyson Furyn. Do të isha i shokuar në rast se të dy do të fitonin luftërat e tyre të radhës e nuk do të përballeshin mes vete më pas”, ka thënë Hearn për BBC.