Kampioni i botës në peshën e rëndë në boks në versionin WBC, britaniku Tyson Fury, i ka ofruar bashkëkombasit të tij Anthony Joshua një mundësi që të luftojë me të deri në fund të vitit.
Fury 34-vjeçar, po shikon për një kundërshtar pasi ukrainasi Oleksandr Usyk, kampion bote në versionet WBO, WBA dhe IBF, ka thënë se nuk do të ngjitet në ring më këtë vit.
Joshua u mposht edhe për herë të dytë nga Usyku muajin e kaluar në Arabi Saudite.
Fury në prill tha se po tërhiqet nga boksi. Por ai ka njoftuar para disa ditëve për rikthimin, ndërsa i ka bërë ofertë Joshuas nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Anthony Joshua, e di se ke pësuar nga Usyku, dhe e di se nuk ke brez kampioni për momentin. Dua të jap mundësinë të luftosh me mua për titullin WBC dhe për titullin lineal brenda muajve të ardhshme. Ti vjen nga një meç 12-rundësh dhe je i gatshëm. Po të jap edhe disa muaj përgatitje. Nëse je i interesuar të dërgojë datën dhe mund të ‘gjëmojmë’ – një betejë e Britanisë për titullin e botës në versionin WBC”, ka thënë Fury, në një video të postuar në rrjete sociale.