Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Joshua e Fury do të përballen, por jo për të gjithë titujt

Pritjes së gjatë për meçin e shumëkërkuar të kategorisë së rëndë ndërmjet boksierëve nga Britania, Tyson Fury dhe Anthony Joshua, duket se i ka ardhur fundi.

Grupi i menaxhmentit të Joshuas nëpërmjet një postimi të martën në “Twitter” ka zbuluar se boksieri ka pranuar kushtet e ofruara nga Fury për meçin që është caktuar të mbahet më 3 dhjetor. Në fakt këtë vendim grupi i Joshuas ia kishte konfirmuar ekipit të Furyt javën e shkuar, por marrëveshjen nuk kanë mundur ta bëjnë publike për shkak të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.

“Mund të konfirmojmë nga ana e Anthony Joshuas se i kemi pranuar të gjitha kushtet e ofruara nga ekipi i Furyt për meçin e datës 3 dhjetor”, ishte postimi i grupit “258MGT”, që e përfaqëson Joshuan.

Ndërkohë, nuk ka vonuar as përgjigja e promotorit të Furyt, Frank Warren, i cili ka zbuluar se kontrata mes palëve do të firmoset së shpejti.

“Kontratën do ta keni së shpejti”, shkroi Warren.

Nëpërmjet një videoje të publikuar javën e shkuar, Fury – kampion në versionin WBC - tha se ishte i gatshëm t’i ofronte Joshuas 40 për qind të fitimit financiar për një meç për titull, para fundit të vitit.

“Ai tani nuk ka asnjë arsye për të mos e pranuar këtë ofertë. Ai nuk mund të thotë më se i kam ofruar 20 apo 30 për qind. Unë i kam ofruar ekipit të tij hiç më pak se 40 për qind. Kështu që mund ta pranoj ose të heq dorë”, tha Fury.

Oferta e Furyt i pëlqeu edhe promotorit të Joshuas, Eddie Hearn, i cili tha se ishte i interesuar ta bënte realitet përballjen mes dy boksierëve britanikë, që u zyrtarizua të martën. Nëpër mediumet britanike është raportuar se në rast të humbjes së Furyt, atëherë fitimi do të ndahet 50 me 50 dhe kjo është arsyeja që Joshua ka pranuar të boksojë.

Fury i pamposhtur, duket se është rikthyer pas vendimit të tij për t'u tërhequr nga boksi, pasi mundi një tjetër boksier britanik, Dillian Whyte, para rreth 90,000 shikuesve në stadiumin “Wembley” të Londrës në muajin prill.

Shpresat e Furyt për të luftuar me Oleksandr Usykun, i cili mbajti brezat e WBA-së, WBO-së dhe IBF-së, duke mundur Joshuan në Arabinë Saudite muajin e kaluar, u shkatërruan kur ukrainasi tha se nuk kishte ndërmend të boksonte përsëri këtë vit.

Kështu që Fury i ktheu sytë nga Joshua, i cili tha pas meçit ndaj Usykut se ai synonte të kthehej në rrugën e tij për ta kthyer titullin e kampionit. Ajo që do të ishte një luftë për të qenë kampion i padiskutueshëm mes Joshuas dhe Furyt ishte gati të aranzhohej vitin e kaluar, por një gjyqtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosi se Fury ishte i detyruar kontraktualisht të aranzhonte një luftë të tretë me Deontay Wilderin. Joshua, i cili ishte kampion në peshën e rëndë në atë kohë, vendosi të luftojë me Usykun dhe humbi nga ukrainasi në Londër. Fury fillimisht kërkoi që meçi me Joshuan të mbahet më 26 nëntor në stadiumin “Wembley”, por është caktuar se data e mundshme e kësaj përballjeje, që do të mbahet në “Principality Stadium” të Cardiffit, që ka një kapacitet prej 74 mijë ulëseve, të jetë 3 dhjetori.

Artikuj të ngjashëm