Mesfushori i Chelseat, Jorginho, pritet të shpallet mesfushori më i mirë i edicionit të shkuar në Ligën e Kampionëve.
Sipas mediave në Itali, Jorginho do ta fitojë çmimin e mesfushorit më të mirë të enjten, në ditën kur edhe do të bëhet hedhja e shortit për sezonin e ri në Ligën e Kampionëve. Italiani ka lënë pas shokun e skuadrës, N’golo Kanten dhe yllin e Manchester Cityt, Kevin De Bruynen.
Me Chelsean, 29-vjeçari fitoi Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Evropës. Ndërkaq, me Italinë triumfoi në “Euro 2020”. Me çmimin e mesfushorit më të mirë në Champions dhe ne titujt e fituar në vitin 2021, ish-futbollisti i Hellas Veronës dhe Napolit, mund të shpresojë që ta fitojë edhe “Topin e Artë”.
Jorginho iu bashkua Chelseat në vitin 2018 nga Napoli për 57 milionë euro. Kontrata me klubin nga Londra i skadon në verën e vitit 2023, por Chelsea po përgatit ofertën e re për ta mbajtur italianin edhe më gjatë në skuadër.