Mesfushori i Italisë, Jorginho është i gatshëm të largohet nga Chelsea në verë për t’iu bashkuar skuadrës së Juventusit. “Gazzetta dello Sport” ka raportuar të hënën se Jorginho është takuar me krerët e Juventusit dhe i ka caktuar kushtet për t’u transferuar në Torino.
30-vjeçari ka kërkuar pagë vjetore prej shtatë milionë eurosh për t’u rikthyer në Serie A dhe te Juventusi po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të tij. Aktualisht, lojtari më i paguar tek ekipi italian është Matthijs De Ligt që merr tetë milionë euro në vit. Jorginho pëlqehet shumë nga trajneri Massimiliano Allegri, i cili po e kërkon për sezonin e ardhshëm.
Mesfushori ka kontratë me Chelsean deri në vitin e ardhshëm, kurse këtë sezon ka shënuar nëntë gola e ka bërë pesë asistime në të gjitha garat.