Sulmuesi Ahmed Januzi iu bashkua Dukagjinit në verën e vitit të kaluar. U cilësua përforcim i madh për klubin nga Klina. Por ai u përballë me lëndime dhe nuk mundi ta ndihmojë ekipin në të gjitha ndeshjet. U paraqit në 14 ndeshje kampionale dhe një në Kupë.
Forma e Januzit është ngritur në xhirot e fundit, sidomos në duelin kundër Llapit ku shënoi dy gola dhe ia siguroi fitoren Dukagjinit.
Januzi është golashënuesi më i mirë i klinasve në këtë edicion me gjashtë gola në kampionat dhe një në Kupë.
Futbollisti nga Vushtrria ka thënë se ende nuk është në formën që duhet të jetë. Ai premton maksimumin që me përvojën që ka ta ndihmojë ekipin klinas që të mbetet në Superligë.
“Unë e kam pasur një dëmtim në fund të fazës së parë të kampionatit, pastaj e humba fazën përgatitore. Në fakt kam stërvitor vetëm e jo me grupin dhe nuk kam mundur të stërvitem 100 për qind. Ka qenë edhe faji jonë që unë tentova të kthehem para kohe dhe dy herë u lëndova. Lëndimi i parë nuk ka qenë serioz, ka qenë vetëm nga ngarkesa, por dëshira për ta ndihmuar ekipin bëri që të lëndohem sërish. Tani jam mirë dhe do ta jap më të mirën në ndeshjet që na presin”, tha Januzi.
Ai shtoi se përvoja luan rol të madh. Por, mendon se edhe të rinjtë po e kryejnë punën e tyre.
“Të gjithë janë të rëndësishëm. Lojtarët me përvojë të madhe, por edhe lojtarët e rinj luajnë rol të rëndësishëm. Edhe ata që janë në bankë kanë rëndësi për skuadrën. Tani kemi në ekip Mentor Zhdrellën dhe Nikoliqin të cilët kanë përvojë, por iu duhet kohë që të ambientohen edhe pse ne nuk kemi kohë për këtë pasi jemi duke shkruar drejt fundit të kampionatit”, u shpreh sulmuesi.
Ndër faktorët kryesorë që Dukagjini po lufton për mbijetesë janë lëndimet e shumta, thotë ish-sulmuesi i Vorsklas ukrainase.
“Zakonisht dëmtimet e qesin ekipin nga binarët. Dukagjini ka pasur probleme me lojtarë të lënduar. Çdo lojtar që mungon është e vështirë për klubin. Aktualisht kemi dy lojtarë të rëndësishëm që shkaku i lëndimeve nuk po mund të luajnë, Met Millaku dhe Ergyn Ahmeti. Shkaku i kësaj kemi humbur shumë pikë. Kemi humbur ndeshje në minutat e fundit. Mund të them që kemi luajtur mirë edhe brenda, por edhe jashtë. Edhe fati nuk ka qenë në anën tonë”, theksoi 33-vjeçari.
Januzi insiston se pozita aktuale e Dukagjinit nuk është reale në bazë të paraqitjeve që ka bërë. Dukagjini renditet i teti, kurse kjo pozitë dërgon në plejaut në fund.
“Po të ishim të kompletuar nga fillimi nuk do të ishim këtu ku jemi. Dukagjini ka cilësi. Kampionati është i gjatë, ka edhe dhjetë ndeshje dhe duhet të japim maksimumin të gjithë për ta mbajtur Dukagjinin në Superligë. Tani shpresojmë që të kemi shumë shikues që të na ndihmojnë që të arrijmë objektivin. Futbolli luhet për tifozë, pa ta nuk ka hijeshi. Ne kemi pasur përkrahje edhe si vendas e po ashtu edhe si mysafir, por tani besoj që do të kemi edhe më shumë përkrahje pasi masat janë liruar”, deklaroi Januzi.