Sulmuesi i krahut, Adnan Januzaj, ka paralajmëruar se nuk do të largohet nga Real Sociedadi në verë kur edhe i skadon kontrata aktuale.
Në një intervistë, Januzaj ka thënë se është shumë i lumtur te Sociedadi, duke konfirmuar qëndrimin e tij në klub, ka raportuar “Marca” të premten.
Ditë më parë është raportuar se Januzaj parimisht ka arritur marrëveshje me Sociedadin për rinovimin e kontratës deri në verën e vitit 2025, që do të zyrtarizohet me të përfunduar sezoni aktual.
“Kam shumë dashuri për tifozët, për punëtorët e klubit. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por tifozët duhet ta dinë se jam shumë i lumtur që jam këtu”, ka thënë Januzaj.
27-vjeçari ka pesë gola e tri asistime këtë sezon në 42 ndeshje për Sociedadin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2017 nga Manchester Unitedi.