LeBron James i është afruar rekordit të koshashënuesit më të mirë të të gjitha kohëve në ligën NBA pasi regjistroi “triple-doublen” e parë këtë sezon. Ai në ndeshjen e fundit me Los Angeles Lakersin fitoi 129:123 ndaj New York Knicksit.
38-vjeçari James tani ka vetëm 89 pikë më pak sesa rekordi i përgjithshëm i 38 mijë e 387 pikëve të realizuara nga Kareem Abdul-Jabbar.
Jamesi shënoi 28 pikë, 11 asistime e 10 kërcime në fitoren e Lakersit në kohën shtesë. Ai po ashtu është i katërti në listën e asistuesve më të mirë në ligën NBA me 10 mijë e 338 në total. 15 mijë e 806 asistime është rekordi i përgjithshëm që mbahet nga John Stockton.
Denver Nuggets fitoi ndaj New Orleans Pelicans 122:113. Fitoren e pestë rresht e shënoi Milwaukee Bucks, pasi mposhti skuadrën Charlotte Hornets, 124:115. Ylli i Bucksit, Giannis Antetokounmpo realizoi 34 pikë. Tri fitore rresht i ka realizuar edhe Los Angeles Clippers që mposhti Miami Heatin.