Ismet Munishi më nuk është trajner i Gjilanit. Munishi është larguar me marrëveshje të dyanshme, ka njoftuar kryetari i klubit, Florim Zuka.
Ai nuk ka dhënë arsyet e ndërprerjes së këtij bashkëpunimi.
“Ismeti nuk do të jetë më trajner i Gjilanit. I kemi ndarë rrugët me të. Është marrëveshje e dyanshme, por për më shumë nuk kam koment”, ka thënë Zuka për KOHËN.
Gjilani nuk është më në garë për titull të kampionit. Synimet e Gjilanit kanë qenë titulli i kampionit dhe trofeu i Kupës dhe investimet janë bërë për këtë.
Gjilani të dielën pësoi disfatë nga Dukagjini në Klinë me rezultatin 2:0 dhe mbeti edhe më shumë prapa në garë për titull.
Gjilani është në vendin e tretë me 55 pikë sa ka edhe Drita. Ballkani është lider me 64 pikë.
Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe gjashtë xhiro për t’u zhvilluar.