Sport

Ishte më i miri ndaj Serbisë, Maxhuni pret gjëra edhe më të mëdha

Basketbollisti kosovar, Edon Maxhuni, pranon se ndaj Serbisë motivimi ishte ndryshe në krahasim me ndeshjet e tjera. Dhe pikërisht ndaj Serbisë, fundori e luajti ndeshjen më të mirë me përfaqësuesen e Finlandës.

Finlanda e Serbia u përballën të hënën në Espoo, në kuadër të kualifikimeve për “Eurobasket 2022”. Serbia fitoi 75:66, ndërsa Maxhuni ishte më i miri te përfaqësuesja finlandeze. Kishte 15 pikë, gjashtë asistime, dy kërcime dhe një top të rrëmbyer.

“Ishte ndeshja më e mirë që e kam luajtur deri më tani me përfaqësuesen seniore të Finlandës. Por besoj që rritja ime vetëm sa do të vazhdojë. Pres lojëra edhe më të mira në të ardhmen”, ka thënë Maxhuni për KOHËN.

Për paraqitjen e tij ndaj Serbisë kanë raportuar edhe mediat beogradase. Kanë shkruar se Maxhuni ishte “enigmë” për ekipin e Serbisë.

“Ishte një paraqitje e mirë, por nuk kemi mundur të marrim rezultatin që e kemi dashur. Nuk ia dolëm ta kthejmë rezultatin dhe ta fitojmë ndeshjen”, ka shtuar Maxhuni.

Ai ndaj Serbisë luajti 24 minuta. Ndaj Zvicrës ishte paraqitur 14 minuta dhe kishte realizuar tri pikë.

“Të them të drejtën ishte ndjenjë tjetër të luash ndaj Serbisë. Është një motivim tjetër kur luan ndaj Serbisë”, thotë basketbollisti kosovar.

Ai është i kënaqur me hapësirën që ka te Finlanda.

“Jam i kënaqur, pasi kam liri të luaj lojën time dhe të jem lider në ekip. Natyrisht janë ende disa lojtarë para meje, por për një kohë besoj që do të jem njëri prej tre lojtarëve kryesorë te Finlanda”.

Finlanda është e treta në grupin E. Kjo pozitë në fund siguron paraqitjen në Evropian. Në shkurt, Finlanda luan me Zvicrën dhe Gjeorgjinë.

“Të gjitha mundësitë për kualifikim janë të hapura. Na duhet vetëm edhe një fitore në muajin shkurt ndaj Zvicrës. Besoj se mund ta realizojmë atë”, ka theksuar Maxhuni.

22-vjeçari është i lindur në Finlandë. Është djali i ish-basketbollistit të njohur kosovar, Besim Maxhuni. Në fakt, është pjesë e një familjeje që ka dhënë shumë për sportin kosovar në përgjithësi, në basketboll e futboll.

Maxhuni këtë edicion po luan te skuadra Parnu në Estoni. Edicionin e kaluar ishte te Gran Canaria në Spanjë. Është prej pak basketbollistëve nga Kosova që luajnë në përfaqësuese evropiane.

“Me paraqitjet në Estoni jam i kënaqur. E di që mundem ende më mirë, por për momentin kam gjetur formën dhe jam duke luajtur një edicion të mirë. Duhet të vazhdoj ta mbaj këtë nivel. Niveli i basketbollit në Estoni është i mirë. Ka shumë lojtarë të mirë dhe shumë lojtarë që luajnë në reprezentacione”, ka theksuar Maxhuni.

Ai ka treguar edhe për largimin e shpejtë nga Spanja.

“Situata ishte e keqe në Spanjë për shkak të koronavirusit. Nuk është ditur nëse do të fillojë sezoni. Më pas mora ofertë të mirë prej Estonisë dhe e pashë që është një rast i mirë për të shkuar përpara si lojtar”.

Për dallim nga Finlanda, Kosova nuk është pjesë e kualifikimeve për Eurobasket 2022. Kosova luan në raundin e parë të parakualifikimeve për Botërorin 2023. Madje, dy ndeshjet e fundit i ka humbur thellë nga Sllovakia e Islanda. Kosova në shkurt e kërkon kalimin në raundin e dytë të parakualifikimeve. Gjasat nuk i ka edhe shumë të mëdha, me formën që e shfaqi së fundi.