Ish-kampioni i boksit në kategorinë e rëndë, Vitali Klitschko, tha se do të marrë armët së bashku me vëllain e tij Wladimir për të luftuar në një “luftë të përgjakshme”, pasi Rusia sulmoi vendin e tyre, Ukrainën. Rusia nisi pushtimin e Ukrainës nga toka, ajri dhe deti të enjten në mëngjes. Rreth 100 mijë njerëz tashmë janë arratisur pasi shpërthimet dhe të shtënat me armë kanë tronditur qytetet kryesore të Ukrainës. Më shumë se 100 persona janë raportuar të vrarë. Vitali Klitschko, i cili është kryebashkiak i kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, që nga viti 2014, tha se është gati për të luftuar.
“Nuk kam zgjidhje tjetër, duhet ta bëj këtë. Unë do të luftoj”, tha 50-vjeçari.
Vitali Klitschko tha se Kievi ishte nën kërcënim dhe prioriteti kryesor ishte të punonte me policinë dhe forcat ushtarake për të mbështetur infrastrukturën kritike, duke përfshirë shpërndarjen e energjisë elektrike, gazit dhe ujit për qytetarët e kryeqytetit ukrainas. Ai po ashtu shtoi se civilët janë të gatshëm për ta mbrojtur Kievin si ushtarë.
“Unë besoj në Ukrainën, besoj në vendin tim dhe besoj në popullin tim”, tha Vitali Klitschko.
Edhe vëllai i Vitalyt, Wladimiri, që është po ashtu ish-kampion bote në kategorinë e rëndë, tashmë është regjistruar në forcat rezervë të ushtrisë ukrainase. Ai tha se dashuria për vendin e tij e detyroi të merrte armën për ta mbrojtur.
“Populli ukrainas është i fortë. Dhe do të mbetet besnik ndaj vetes në këtë sprovë të tmerrshme. Një popull që kërkon sovranitet dhe paqe. Një popull që e konsideron popullin rus vëllezër të tyre”, shkroi Wladimiri në një postim në rrjetet sociale. “E di që ata në thelb nuk e duan këtë luftë. Populli ukrainas ka zgjedhur demokracinë. Por demokracia është një regjim i brishtë. Demokracia nuk mund të mbrohet; duhet vullneti i qytetarëve, përkushtimi i të gjithëve. Në thelb, nuk ka demokraci pa demokratë”.
Në fakt, Vitali në vitin 2005, kur ishte aktiv në boks dhe kampion bote, u inkuadrua në mënyrë aktive në politikën e Ukrainës. Ai në vitin 2010 e themeloi partinë e tij, përpara se në vitin 2012 ta ndërpriste karrierën aktive në sport për t’u bërë pjesë e Parlamentit të Ukrainës. Në vitin 2014 u largua nga pozita në Parlament, për t’u bërë kryebashkiak i Kievit. Vitali, pa dyshim se po i përjeton ditët e tij më të vështira nën petkun e politikanit. Ai së bashku me vëllain e tij më të vogël, Wladimir, janë shumë aktivë në rrjetet sociale qëkur Rusia nisi sulmet ndaj Ukrainës.
“U bëjmë thirrje të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që të shohin tragjedinë që po ndodh para syve tanë. Kjo luftë e pakuptimtë nuk do të ketë fitues, vetëm humbës. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër këtij agresioni. Mos e lini të zgjasë. Evropa mbështet Ukrainën", thuhet në videon e përbashkët të vëllezërve Klitschko.