Më 11 dhjetor të vitit të kaluar Irma Konjusha realizoi 17 pikë e dhjetë asistime në fitoren e Bashkimit karshi Trepçës (79:69), në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ishte ndeshja e fundit e stinorit vjeshtor që doli të jetë e fundit edhe për Konjushën si basketbolliste.
Pas më shumë se një dekadë karrierë të suksesshme, Konjusha ka vendosur që fanellën e basketbollistes ta zëvendësojë me atë të referes.
Të shtunën Konjusha do të debutojë si refere në Superligën e Kosovës në basketboll (meshkujt), në duelin që luhet në Suharekë mes Prizrenit-16 dhe Dritës, e që i takon xhiros së 18-të.
“Të shtunën e kam ndeshjen e parë dhe jam gati që prej këtij dueli ta ndërtojë një karrierë të suksesshme në referim sikurse që e kisha si basketbolliste. Shpresoj që prej këtu të nisë ngritja ime si refere e Superligës”, tha Konjusha të enjten për KOHËN. Ajo do të jetë referja e vetme në elitën e basketbollit kosovar në konkurrencë të meshkujve.
Konjusha thotë se i është përkushtuar referimit pasi në basketbollin e Kosovës ka fituar gjithçka që mund të fitohet. 28-vjeçarja thotë se pa problem ka mundur të luajë basketboll të paktën edhe gjashtë vjet, por ka vlerësuar se e ka moshën ideale për të bërë emër edhe si arbitre. Synimet i ka të mëdha dhe po punon me përkushtim që vitin tjetër të pajiset me licencën e FIBA-s, për të referuar edhe në kupat evropiane.
“Prej edicionit të kaluar i jam përkushtuar tërësisht referimit dhe jam në moshën më të mirë për të arritur diçka edhe në këtë profesion. Besoj se vitin tjetër do të jem femra e parë nga Kosova që do të kem licencën e FIBA-s, përpara se të synoj referimin e ndeshjeve ndërkombëtare”, u shpreh Konjusha. “Vendosa të largohem nga basketboll pasi kuptova se nuk kam më çka të fitojë. I kam fituar të gjithë trofetë si dhe kam luajtur për skuadrat më të suksesshme të Kosovës. Pa problem kam mundur të luajë edhe për disa vjet në nivelin e Kosovës, por e kam parë të arsyeshme ta ndërtojë një karrierë tjetër të suksesshme dhe për këtë e kam moshën ideale”.
Konjusha ka qenë njëra prej lojtareve më të mira në Kosovës. Është shquar në rolin e organizatores. Katër herë është shpallur basketbollistja më e mirë e vitit.
Krahas Bashkimit e Shkupit, Konjusha ka luajtur edhe te Prishtina e Penza, skuadra me të cilat ka fituar trofe. Ishte ndër më të dalluarat te Prishtina që para tre vjetësh u paraqit në FIBA EuroCup. Ishte edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, që verën e shkuar e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për shtetet në zhvillim, të mbajtur në Qipro.
“Kur e kthej kokën prapa ndihem krenare me karrierën time si basketbolliste. I kam arritur të gjitha në Kosovë dhe nuk kam ndonjë peng, veçse nuk e kam pasur fatin të luajë diku në Evropë. Mendoj se jam larguar nga basketbolli me kokën lart dhe si kampione e vërtetë”, tha Konjusha. “Tani synimet e mëdha i kam si refere, dua të jem e suksesshme edhe me këtë uniformë sikurse me atë të basketbollistes”.
Konjusha hapat e parë në basketboll i ka bërë në moshën 13-vjeçare, kurse dy vjet më vonë debutoi me ekipin e parë të Prishtinës për të bërë emër në sportin e koshit në vend.