Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

IOC-ja suspendon Korenë e Veriut deri më 2022

Koreja e Veriut nuk do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat do të organizohen vitin e ardhshëm në Pekin. Ky është vendimi qe ka marrë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të mërkurën.

Presidenti i IOC-së, Thomas Bach në një konferencë për media u shpreh: “Komiteti Olimpik Kombëtar i Republikës Demokratike Popullore të Koresë, do të pezullohet deri në fund të vitit 2022 si rezultat i vendimit të njëanshëm për të mos marrë pjesë në Lojërat Olimpike Tokio 2020”.

Vendi komunist zgjodhi të mos i dërgonte atletët e tij në Lojërat Verore për shkak të frikës nga situata e pandemisë së Covid-19.

Koreja e Veriut ishte shteti i vetëm në botë që nuk dërgoi asnjë prej atletëve të saj në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka ofruar zgjidhje të ndryshme Koresë së Veriut.

Një ndër to ishte ndihma me vaksinat kundër koronavirusit. Këto ndihma janë refuzuar vazhdimisht nga zyrtarë olimpikë të Koresë së Veriut.

Artikuj të ngjashëm