Ekipi nga Serie A, Interi ka shprehur interesim për mesfushorin belg Youri Tielemas që po tregon paraqitje të mira te Leicester City.
Mediumet italiane kanë raportuar të hënën se Interi po përgatit ofertën për Tielemansin, i cili ka kontratë me ekipin anglez deri në vitin 2023. Te Interi janë të gatshëm të ofrojnë dëmshpërblim deri në 50 milionë euro për të siguruar shërbimet e Tielemansit këtë verë.
Mesfushori 23-vjeçar ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë pesë asistime në 39 ndeshje të luajtura këtë edicion për Leicesterin në të gjitha garat. Ai është pjesë e ekipit anglez prej janarit të vitit 2019 kurse karrierë ka bërë edhe te Monaco e Anderlechti.