Skuadra e Interit ka bërë të ditur se Nicolo Barella “nuk është në shitje” dhe se do të refuzojë të gjitha ofertat që vijnë për të.
Mediumet italiane kanë raportuar të enjten se Interi, së fundi ka refuzuar ofertat e skuadrave nga Premier League, Manchester United dhe Liverpool për kartonin e Barellas.
Mesfushori Barella që e ndihmoi Italinë të triumfojë në “Euro 2020”, vlerësohet si njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm te Interi nga trajneri Simone Inzaghi. Barella 24-vjeçar iu bashkua Interit vitin e shkuar nga Cagliari dhe firmosi kontratë katërvjeçare.
Në sezonin e tij të parë te Interi, ai fitoi titullin e kampionit në Serie A kurse shënoi tri gola dhe bëri 13 asistime në 46 ndeshje në të gjitha garat.