Kampioni në fuqi i Italisë, Interi po insiston në transferimin e sulmuesit Luca Scamacca. Madje, mediumet italiane kanë raportuar të hënën se Interi edhe zyrtarisht ka nisur bisedimet me Sassuolon për transferimin e 23-vjeçarit.
Scamacca po pëlqehet shumë nga trajneri i Interit, Simone Inzaghi që pe sheh si përforcim të rëndësishëm për sezonin e ri. Ai po shihet si zëvendësim ideal për boshnjakun Edin Xheko. Interi është i gatshëm që për transferimin e Scamaccas të ofrojë rreth 20 milionë euro, dhjetë milionë më pak se sa po kërkon Sassuolo për kartonin e tij. Scammaca ka shënuar nëntë gola në 23 ndeshje në Serie A këtë sezon kurse me Sassuolon ka kontratë deri në vitin 2025. Krahas Interit, interesim për Scamaccan ka kohë që ka shfaqur edhe Juventusi.