Pas Leicesterit, edhe skuadra e Interit është futur në garë për shërbimet e sulmuesit të Celticut, Odosonne Edouard.
“Calciomercato” ka raportuar të mërkurën se Interi po synon transferimin e sulmuesit 23-vjeçar për ta zëvendësuar Lautaro Martinezin, i cili pritet gjatë verës të largohet nga ekipi italian. Për kartonin e Edouardit, Interi është i gatshëm të ofrojë rreth 15 milionë euro në mënyrë që ta bind Celticun në lirimin e tij.
Edouard ka shkëlqyer në edicionin 2020/21 te skuadra skoceze, duke shënuar 22 gola në 40 ndeshje në të gjitha garat. Ai është pjesë e Celticut prej vitit 2018 kurse ka kontratë deri në fund të edicionit të ardhshëm. Edouard para se t’i bashkohet Celticut, ka bërë karrierë edhe te Paris Saint-Germaini e Toulouse.