Kampioni në fuqi i Italisë, Interi nuk e ka ndërmend të heq dorë nga transferimi i Berat Gjimshitit. “Calciomercato” ka shkruar të martën se Interi ka bërë gati rreth dhjetë milionë euro për ta bindur Atalantan në lirimin e Gjimshitit në fund të këtij sezoni.
Gjimshiti është njëri prej lojtarëve më stabil te Atalanta dhe te Interi po e shohin si përforcim të duhur për repartin e mbrojtjes. Për t’i bërë vend Gjimshitit, Interi në verë pritet ta largojë Andrea Ranocchian, Aleksandar Kolarovin e Danilo D’Ambrosion. Po ashtu, edhe e ardhmja e holandezit Stefan De Vrij nuk është e sigurt pasi po kërkohet në Angli.
Gjimshiti 29-vjeçar ka kontratë me Atalantan deri në vitin e ardhshëm kurse këtë sezon në 29 paraqitje në të gjitha garat, ka kontribuar me dy gola dhe një asistim.