Skuadra e Interit ka siguruar shërbimet e mesfushorit të Shqipërisë, Kristijan Asllani për sezonin e ri.
“Football-Italia” ka raportuar se Interi të mërkurën ka arritur marrëveshje me Asllanin, i cili muajin tjetër do t’i nis stërvitjen me ekipin zikaltër.
Bëhet se Interi do të huazojë Asllanin për një vit, me opsionin e blerjes në verën e vitit të ardhshëm për dhjetë milionë euro. Për huazimin njëvjeçar të Asllanit, Interi do t’i paguajë Empolit katër milionë euro, dhe në shkëmbim do ta ofrojë Martin Saritanon, i cili së fundmi ishte i huazuar në Francë te Stade Brestois. Zyrtarizimi i marrëveshjes dhe prezantimi i Asllanit te Interi, do të bëhet brenda kësaj jave.
Asllani 20-vjeçar sezonin e shkuar debutoi me ekipin e parë të Empolit dhe impresionoi me paraqitjet e tij në Serie A. Në 26 paraqitje, mesfushori defensiv e shënoi një gol dhe bëri dy asistime. Asllani është produkt i akademisë së Empolit dhe reprezentues i Shqipërisë, ku deri më tani ka regjistruar katër paraqitje.