Skuadra e Ballkanit dhe ajo e Dritës kanë ndërruar disa herë pozitat në xhirot e fundit në tabelën e Superligës së Kosovës në futboll. Herë njëra skuadër e herë tjetra kanë qenë në vendin e parë. Kështu parashikohet të ndodhë deri në fund të edicionit aktual të elitës së futbollit të Kosovës. Aktualisht, në krye të Superligës është Ballkani me 61 pikë të mbledhura, një më shumë se përcjellësja e parë Drita. Deri në fund kanë mbetur edhe gjashtë xhiro për t’u zhvilluar, e këto dy skuadra janë të vetmet që do të luftojnë për titull, pasi janë shkëputur nga pjesa tjetër e tabelës. Luftën e hapur deri në fund për titull të kampionit e sheh edhe trajneri i Ballkanit, Ilir Daja.
“Duke u nisur nga fakti që kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje, mendoj që lufta për titull do të jetë e hapur deri në fund”, ka thënë Daja të mërkurën për KOHËN.
Në pesë ndeshjet e fundit, Ballkani ka shënuar tri fitore dhe dy barazime. Fitoi thellë në fundjavë 7:2 ndaj Trepçës ’89. Shënoi fitore edhe ndaj Drenicës 1:0 në udhëtim dhe mposhti në shtëpi Gjilanin 2:0, ndërsa barazoi pa gola me Ferizajn dhe Malishevën (2:2). Dy fitoret e fundit bëjnë që Daja të besojë se futbollistët kanë kaluar mini-krizën.
“Në katër ndeshjet e fundit kemi fituar tri ndeshje dhe kemi barazuar një herë. Jemi kthyer gradualisht në lojën tonë dhe kjo ka ndikim pozitiv në atmosferën dhe anën psikologjike të ekipit”, ka thënë Daja. “Me plotësimin e kontingjentit dhe kapjen e formës po rikthehemi në paraqitjet dhe rezultatet e mira në këtë moment të rëndësishëm të kampionatit”.
Ballkani i Suharekës është rritur vazhdimisht në vitet e fundit si klub i futbollit. Por pikë kthese për të u dëshmua të jetë ardhja e trajnerit nga Tirana, Ilir Daja. Ai mori drejtimin e Ballkanit në fillim të vitit 2022, ndërsa më pas suharekasit për herë të parë fituan titullin e kampionit të Kosovës. Ky ishte vetëm fillimi. Ballkani, si asnjë klub tjetër kosovar, arriti në fazën grupore të Ligës së Konferencës, niveli i tretë i kupave evropiane për skuadra të futbollit. Paraqitja e Ballkanit në fazën e grupeve u vlerësua sukses historik, ndërsa ndikimi i Dajës në këtë sukses, masiv. Por Daja thotë se paraqitja në garat e Evropës e po ashtu ndeshjet tjera kanë ndikuar në lodhjen e lojtarëve të Ballkanit.
“Një kampionat me katër faza, me 36 ndeshje, shto këtu ndeshjet e kupës dhe finalen e Superkupës, shtrihen në një edicion me një vit futbollistik gjatë gjithë vitit. Këtë numër të ndeshjeve e kemi bërë për 5 muaj, që do të thotë që ka pasur ndikim te forma në vazhdimësi, shtuar këtu edhe lëndimet që vijnë nga kjo ngarkesë rraskapitëse”, është shprehur Daja, që shquhet për profesionalizmin, organizimin e skuadrës dhe mbrojtjen publike të lojtarëve.
Një prej lojtarëve që i ka besuar shumë, ndonëse kishte kritika për inkuadrimin e tij, ishte sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi. Krasniqi kaloi në janar te skuadra e Clujit të Rumanisë. Po tregohet i suksesshëm në Rumani, ndërsa pritet që në verë të bëjë një hap të madh në karrierë. Daja ka pranuar se boshllëku i lënë nga Krasniqi ka qenë i vështirë të mbulohet.
“Një lojtar me karakteristika të Ermalit është vështirë ta zëvendësosh, sepse edhe te Cluji po vazhdon të paraqitet mirë. Mungesa e tij është ndier akoma më shumë, sepse kemi pasur dhe dëmtimin e Nazmi Gripshit”, ka theksuar Daja.
Rrugën e Krasniqit pritet ta ndjekin edhe disa lojtarë të tjerë të Ballkanit në verë. Janë disa skuadra që po interesohen për mesfushorët Meriton Korenia e Lindon Emërllahu, pastaj mbrojtësin Lumbardh Dellov dhe sulmuesin Albion Rrahmani.
Daja pranon se largimi i lojtarëve kryesorë dobëson ekipin.
“Trajnerët asnjëherë nuk duan që të ikin lojtarët më të mirë të ekipit, por Ballkani si politikë tani do të ketë jo vetëm arritjet e objektivave të klubit, por edhe promovimin e lojtarëve për sjelljen e të ardhurave, që është në të mirë të ekipit të vazhdojë të jetë në elitën e futbollit të Kosovës”, ka thënë Daja.
Trajneri 56-vjeçar me Ballkanin ka kontratë deri në verën vitin 2024.