Sport

Ikona e Bosnjë-Hercegovinës ankohet që Besa e fitoi shumë lehtë titullin

Fare pak shikues ishin në tribunat e palestrës së vogël në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, kur Nikola Prce pranoi kupën e kampionit të Kosovës në hendboll dhe nisi festën me bashkëlojtarët e tij të Besa Famgas.

Prce udhëhoqi si kapiten skuadrën pejane drejt një tjetër titulli të kampionit të Kosovës.

Besa në serinë finale të plejofit e mposhti Prishtinën me rezultatin 2:0. Ndeshjen e dytë, të enjten mbrëma, e fitoi me shifrat 38:34, por dallimi i skuadrave në fushën e lojës ishte më i madh se që e paraqet rezultati. Besa me dy fitore kishte kaluar Rahovecin në gjysmëfinale, ndërsa i kishte fituar të gjitha 28 ndeshjet në pjesën e rregullt të kampionatit. Pra i ka fituar të gjitha 32 ndeshjet, pa llogaritur ato për kupë.

Për Besën është titulli i nëntë rresht, ndërsa i 16-ti pas luftës.

Besa, falë forcës financiare, ka gati një dekadë që dominon hendbollin kosovar. Dhe tani titujt e kampionit po i fiton në mënyrë rutinore. Mungesa e konkurrencës së denjë vlerësohet të jetë arsye për numrin e vogël të shikuesve në palestër. Dhe ky fakt po i pengon Prces, ikonës së hendbollit nga Bosnjë-Hercegovina.

Prce në fakt ka dy ankesa – që Besa po fiton lehtë dhe që atmosfera në palestra është e zbehtë. Në shumë prej ndeshjeve ai nuk është aktivizuar fare në mungesë të rivalitetit.

“Të gjitha ndeshjet i kemi fituar dhe e kemi arsyetuar epitetin e favoritit që e kishim para fillimit të kampionatit. Në ndeshjen e fundit nuk luajtëm aq mirë, madje luajtëm keq, por e siguruam edhe një titull kampioni për Besën”, ka thënë Prce të premten për KOHËN.

Image

Ai është pjesë e Besës që nga viti 2019. Dhe ka fituar rregullisht titullin dhe kupën e Kosovës. Prce është në fazë të vonshme të karrierës. 41-vjeçari ka luajtur në skuadra të shumta në Bosnjë, Kroaci, Spanjë, Slloveni, Austri, Katar, Hungari e Poloni. Për Bosnjën i ka luajtur 119 ndeshje dhe ka realizuar 444 gola. Është paraqitur në ngjarjet më të mëdha të mundshme. Shpesh ka luajtur para mijëra shikuesve e tani me Besën po feston në palestra thuajse të zbrazëta.

Prce më herët këtë vit është pensionuar nga përfaqësuesja bosnjake, kapiten i së cilës ishte për shumë vjet. Te Besa vazhdon të luaj, ndonëse jo shumë. Më shumë minuta iu dhanë në finalen e dytë, të enjten mbrëma.

“Aq sa jemi të lumtur që nuk kemi bërë asnjë gabim gjatë tërë sezonit, është pak për keqardhje për finale numri i vogël i njerëzve në tribuna sepse hendbolli luhet për ata tifozë dhe njerëz që e duan hendbollin. Pra, do të kishte qenë shumë më mirë që të kishte më tepër shikues në palestra, pak a shumë sikurse në ndeshjet e basketbollit, që të ketë atmosferë në palestra. Por, është kështu si është dhe duhet të vazhdojmë”, ka shtuar Prce.

Besa ndeshjet si vendase i luan thuajse në palestër të zbrazët. Numri i shikuesve në Pejë në ndeshjet e hendbollit është minimal. As në Prishtinë nuk kishte shumë.

Ndryshe ishte në finalen e hendbollisteve, të cilën e fitoi Istogu. Në Istog në ndeshjen e parë ishin afro 2000 shikues sipas të dhënave zyrtare. Në Ferizaj, ku u luajt finalja e dytë, ishin rreth 600.

Në Superligën e hendbollistëve ka disa vjet që mungon numri më i madh i shikuesve. Dhe kjo vlerësohet se është pasojë e dallimit të madh që Besa ka bërë me skuadrat tjera.

Që skuadrat tjera të forcohen lutet edhe Prce. Ai thotë se Besa e ka fituar lehtë titullin e kampionit për edicionin 2021/2022.

“Sigurisht na vjen keq për gjithë këtë. Besa e fortë nuk mund të jetë e fortë pa një Prishtinë të fortë, Kastriot, Trepçë e Vëllaznim të fortë. Na vjen pak keq që e gjithë kjo është arritur të themi lehtë për ne. Do të ishte shumë, shumë më mirë për hendbollin kosovar, për reprezentacionin dhe për vet Besën sikur liga të jetë më e fortë, tribunat të jenë të mbushura dhe që e gjithë kjo të ketë më tepër kuptim”, ka thënë Prce.

Ai është njëri prej katër lojtarëve të huaj te Besa. Ish-reprezentuesi i Spanjës, Victor Alonso luan po ashtu për skuadrën pejane, që alo i ka dy të rinj nga regjioni. Besa po ashtu ka disa prej lojtarëve kryesorë të Kosovës si Kastriot Jupa, Deniz Terziqi e Egzon Gjuka. Ka edhe reprezentues të tjerë.

Javën tjetër Besa Famgas e kërkon trofeun e radhës. Do të luaj në turneun final të Kupës, që zhvillohet në Ferizaj.

“E kemi kupën pas pak ditësh ku edhe jemi favoritët kryesorë për ta fituar edhe këtë trofe, gjë që duhet edhe ta dëshmojmë. Do të ketë ndeshje të forta, sigurisht Prishtina e sheh rastin e vet”, është shprehur pak më optimist Prce, lojtari më i njohur i huaj që ndonjëherë ka luajtur në hendbollin kosovar.