Lojtarët e rinj të Besa Famgas e fituan rastin në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Kastriotit. Besa e Kastrioti u takuan të dielën në Ferizaj në finale të Kupës së Kosovës në hendboll. Njëjtë ishte edhe të shtunën në gjysmëfinale ndaj Prishtinës.
Në të dy ndeshjet Besa Famgas ishte e pakonkurrencë. Aq ishte dominuese sa kishte hapësirë për të aktivizuar lojtarët fare të rinj.
Kjo në fakt nuk është diçka e re. Besa e Pejës është skuadra më dominuese në hendbollin kosovar. Për të tretin edicion rresht fiton të dy trofetë, titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Madje pa pësuar humbje.
Edicionin 2021/2022, Besa Famgas e mbylli të dielën. Me festë. Me triumf në Kupën e Kosovës. Në finale, Besa fitoi ndaj Kastriotit të Ferizajt me shifrat 30:24. Në gjysmëfinale, të shtunën, e kishte mposhtur Prishtinën me 50:35.
Edhe titullin e kishte fituar pa ndonjë sfidë të madhe. I ka fituar bindshëm të gjitha ndeshjet në kampionat e më pas në plejof.
Në finale të Kupës më efikasi ishte Egzon Gjuka me 8 gola. Reprezentuesi i Kosovës u shpall lojtar i ndeshjes e po ashtu lojtari më i mirë i turneut final të Kupës. Më i miri i ndeshjes te Kastrioti ishte portieri Dardan Dugolli.
6 gola për Besën i shënoi spanjolli Victor Alonso. Dallimin e bëri edhe Nikolla Prce, lideri me përvojë i skuadrës pejane. Prce luajti aq sa kishte nevojë, njëjtë si në gjysmëfinale.
Për Besën është hera e 14-të që fitoi Kupën e Kosovës. Ishte Kastrioti që ndali një seri të Besës në vitin 2019. Ishte viti kur pejanët i humbën ndeshjet e fundit. Më pas nuk kanë pasur konkurrencë të denjë.
Te hendbollistet, Kupës iu gëzua Istogu. Edhe Istogu ka fituar të gjitha ndeshjet si në kampionat, ashtu edhe në Kupë. Istogu po stabilizohet si skuadra më e mirë në vend, ndonëse nuk ka përvojë të gjatë.