Edhe një tjetër ndeshje në të cilën ishte duke fituar, Trepça ’89 nuk ka arritur ta ruajë rezultatin. Kjo po vjen si pasojë e mungesës së eksperiencës, ka thënë trajneri Shpëtim Idrizi pas ndeshjes. Trepça ’89 ishte duke fituar ndaj Gjilanit në udhëtim, por në fund pësoi disfatë 3:1.
“Të them të drejtën, ndeshja nisi mirë dhe e tillë ishte deri te momenti i golit. Të them të drejtën, pavarësisht që nuk dua të justifikohem për humbjen, kur u shënua goli faulli nuk ekzistoi hiç. Aty ishte edhe kthesa e Gjilanit. Nuk ekzistoi faulli fare, gjyqtari e dha faull. Nga ai moment u shënua edhe goli. Po shënojmë shumë autogola. Duhet të punojmë shumë në këtë drejtim, në aspektin defensiv. Grupit po i mungon eksperienca. Po na penalizon edhe pranimi i shumtë i golave”, ka thënë Idrizi pas ndeshjes.