Sulmuesi Mauro Icardi, që ishte i huazuar nga Paris Saint-Germaini te skuadra e Galatasarayt, pritet ta vazhdojë karrierën te kampioni i Turqisë.
30-vjeçari dha kontribut të madh te Galatasaray në edicionin e kaluar, kur skuadra e fitoi titullin e kampionit.
Eksperti i transferimeve në futbollin evropian, Fabrizio Romano, ka shkruar të dielën se Icardi është afër përfundimit të marrëveshjes dhe transferimit përfundimtar.
Sipas Romanos dhe gazetës franceze “L’Equipe’, transferimi pritet të bëhet për 10 milionë euro.
Icardi iu bashkua PSG-së në vitin 2019 nga Interi, si i huazuar fillimisht e më pas u ble nga skuadra franceze.
Në total ai ka shënuar 38 gola dhe ka bërë 10 asistime në 92 ndeshje për PSG-në.
Në edicionin e kaluar ai realizoi 23 gola dhe tetë asistime në 26 paraqitje për skuadrën turke.
Te Galatasaray mund të transferohet së shpejti edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Angelino.
Angelino është 26-vjeçar ndërsa nga Manchester City në vitin 2021 u transferua te skuadra e Leipzigut.
Në edicionin e kaluar ishte i huazuar te Hoffenheimi.
Realizoi një gol dhe pati 12 asistime në 35 paraqitje në të gjitha garat.