Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hysaj beson se Shqipëria mund ta arrijë plejofin e Ligës së Kombeve

Përfaqësuesja e Shqipërisë ka mbajtur edhe seancën e fundit në Durrës para nisjes për në Islandë, ku do ta zhvillojë ndeshjen e parë të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve.

Shqipëria të shtunën do ta marrë rrugën drejt Islandës, kurse të hënën e luan ndeshjen e Grupit 2 në kuadër Ligës B të Ligës së Kombeve. Në konferencën për shtyp të mbajtur të premten janë paraqitur mbrojtësi i krahut të djathtë, Esleid Hysaj, dhe mesfushori Klaus Gjasula.

Hysaj ka thënë se Shqipëria do të dalë në fushë ndaj Islandës për një rezultat pozitiv, pse jo edhe fitore. Ai ka thënë se të gjithë futbollistët janë gati jo vetëm për Islandën, por edhe për ndeshjet e tjera të këtij muaji. Pas duelit me Islandën, Shqipëria i luan edhe dy ndeshje tjera.

Më 10 qershor e pret në shtëpi Izraelin kurse tri ditë më vonë, në të njëjtën stadium - “Air Albania” - e luan miqësoren me Estoninë. Islanda ka barazuar 2:2 në udhëtim te Izraeli të enjten mbrëma, në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve. Hysaj ka thënë se Shqipëria e njeh Islandën, me të cilën është përballur edhe në kualifikimet për “Euro 2020”. Në duelin e luajtur në Islandë, Shqipëria pati humbur 1:0, kurse në Elbasan triumfoi 4:2. Madje, në këtë ndeshje për Shqipërinë pati shënuar edhe Hysaj. E gol Hysaj shpreson të shënojë edhe në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Laugardalsvollur” në Reikjavik të hënën e ardhshme.

“Unë kam bërë pak gola me Kombëtaren. Shpresoj që në këtë ndeshje të kem një rast për të shënuar një gol tjetër, por nuk i dihet”, është shprehur Hysaj. “Besoj se jemi gati për këto ndeshje që i kemi në Ligën e Kombeve. Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë dhe jemi përgatitur maksimalisht. Do të dalim në fushë dhe të shohim si do të shkojë ndeshja. Ne kemi treguar që dimë të luajmë mirë dhe atë ndaj Islandës që është një kundërshtar i vështirë. Do të kërkojmë të bëjmë më të mirën dhe të marrim maksimumin”.

Hysaj ka pranuar se Shqipëria e synon plejofin e Ligës së Kombeve në këtë edicion, pasi ka gjasa të mira për ta fituar grupin, sidomos pas përjashtimit të Rusisë shkaku i luftës ndaj Ukrainës. Ai insistoi se Shqipëria e ka një mundësi të artë, të cilët nuk bën ta shpërdorojë assesi, por duhet ta shfrytëzojë për ta fituar grupi dhe paraqitur në plejof.

“Në grup jemi tri skuadra të forta, në një nivel gati të përafërt. E shohim si një mundësi të mirë, pasi Rusia, që mungon, është një skuadër shumë e mirë, dhe tani kemi më shumë mundësi për të shkuar në plejof. Duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë mundësi dhe e shohim si një dritare më shumë. Pra, këtë mundësi të artë nuk duhet ta shpërdorojmë”, insistoi Hysaj.

Edhe Hysaj dhe Gjasula kërkojnë fitoren ndaj Islandës Sport Hysaj dhe Gjasula kërkojnë fitoren ndaj Islandës

Për dallim prej Hysajt, mesfushori Gjasula ka thënë se Shqipërisë do t’i mjaftonte edhe një pikë ndaj Islandës. Sipas tij, katër pikë në dy ndeshjet e këtij muaji do të ishin një rezultat shumë i mirë për ekipin e trajnerit Edoardo Reja.

“Ne e dimë që Islanda është një ekip shume fizik. Mbrohet shumë mirë dhe luan me kundërsulme. Ne do të tentojmë të bëjmë lojën tonë. Edhe me 4 pikë do të ishim në rregull. Do të thosha se e kemi nisur me këmbë të mbarë, me Islandën duhet të marrim minimalisht një pikë, por ne do të kërkojmë të marrim tri pikët”, është shprehur Gjasula, që ka folur edhe për synimin e Shqipërisë në grup. “Nuk do të thosha që kundërshtarët janë më poshtë se ne. Jemi afër dhe s’mund të them se jemi favoritë. E dimë që në të shkuarën ka qenë e vështirë, por ne jemi rritur dhe kemi treguar cilësi të mira. Jam optimist dhe uroj të bëjmë paraqitje të mira. Secili e di çfarë mundësie kemi në këtë grup tani që dhe Rusia e dimë që është jashtë. E dimë çfarë mund të fitojmë dhe jemi optimistë. Shpresojmë të marrim maksimumin”.

Shqetësimi i vetëm te Shqipëria për ndeshjen me Islandën mbetet sulmuesi Myrto Uzuni, i cili ka një lëndim të lehtë muskulor. Ndërkohë janë rikuperuar plotësisht nga lëndimet Kristijan Asllani, Klaus Gjasula e Odise Roshi, që kanë zhvilluar stërvitje me intensitet të plotë me pjesën tjetër të grupit.