Për Azerbajxhanin ishte fitore historike. Për Kosovën humbje shumë e rëndë. Ndoshta më e rënda deri më tani.
Të dielën në Baku, Azerbajxhani e mposhti përfaqësuesen e Kosovës në basketboll me rezultatin 87:77.
“Fitore historike për ekipin tonë nacional”, ka shkruar Federata e Basketbollit e Azerbajxhanit.
Rezultati që për Azerbajxhanin ishte historik, për Kosovën ishte dëshpërues, thënë më së buti.
“Ishte humbje dëshpëruese”, ka pranuar selektori i Kosovës, Rami Hadar.
“Ishim në ndeshje deri në 3-4 minutat e fundit. Por është pjesë e jetës. Do ta pranojmë dhe do të shkojmë në dritaren e radhës në nëntor. E marrim parasysh që kemi fituar një ndeshje, kemi humbur një, kemi fituar në shtëpi. Shpresojmë të fitojmë dy ndeshjet e radhës”, ka shtuar Hadar.
Kosova ishte favorite e madhe ndaj Azerbajxhanit. Të enjten, Kosova fitoi 83:76 ndaj Irlandës në Prishtinë. Ajo fitore u sigurua vetëm në aksionet e fundit. Po të enjten, Azerbajxhani kishte pësuar 72:53 nga Zvicra.
Azerbajxhani është përfaqësuesja e ranguar më të ulëti që paraqitet në fazën e parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Është e 118-ta në ranglistën e FIBA-s. Kosova është shumë më lart, në pozitën e 77-të. Zvicra është e 63-ta, ndërsa Irlanda e 85-ta.
Sikur ranglista të mos mjaftonte, Azerbajxhani debuton në parakualifikimet për Kupën e Botës. Ishte paraqitur në kualifikimet për Eurobasket 2003 dhe për Eurobasket 2013. Prej atëherë nuk është paraqitur as në kualifikime për Kampionat Evropian. Së fundi kishte garuar në Kampionatin Evropian për Vende të Vogla, në vitin 2022. Ishte renditur i katërti prej gjashtë përfaqësueseve sa ishin gjithsej. Kishte garuar me Maltën, Andorrën, Armeninë, San Marinon dhe Gjibraltarin në verën e vitit 2022. Dhe të dielën e mposhti Kosovën.
Ndeshja në Baku ishte e barabartë në tre çerekët e parë. Në të katërtin, vendasit fituan 28:17 për të shkruar histori.
Azerbajxhani ndaj Kosovës e kishte në përbërje qendrën amerikane Donta Hall. 26-vjeçari është një nga dy lojtarët cilësorë që i ka natyralizuar Azerbajxhani. Është i gjatë 208 centimetra dhe me Monacon luan në Euroligë. Lojtarë të natyralizuar ka edhe Kosova. Dominic Artis, që luan në Turqi, ishte në listën e gjerë të Kosovës, por nuk u grumbullua me arsyetimin se është i lënduar.
Hall luajti 30 minuta ndaj Kosovës, ndërsa i kishte 20 pikë e plot 14 kërcime. Nuk e humbi asnjë top, ndërsa i kishte edhe dy asistime. Veterani Orhan Haciyeva i kishte 27 pikë e 11 kërcime.
Dardan Kapiti ishte më i miri te Kosova me 19 pikë, gjashtë kërcime, katër asistime e katër topa të rrëmbyer. Musab Mala i kishte 16 pikë e gjashtë asistime. Kapiteni Dardan Berisha ishte më efikasi me 20 pikë. Berisha i kishte edhe katër asistime, por qëlloi vetëm dy prej dhjetë tentimeve për tri pikë. Këtë herë mungoi kontributi më i madh i Drilon Hajrizit e Mikaile Tmushiqit. Hajrizi i realizoi vetëm pesë pikë, ndërsa Tmushiqi i kishte vetëm tri.
Lis Shoshi e Erjon Kastrati munguan për shkak të lëndimeve, pos Artisit. Sipas njoftimit të FBK-së janë lënduar ndaj Azerbajxhanit edhe Dardan Berisha e Meriton Ismaili.
Në basketbollin kosovar investohen milionë euro gjatë një viti. Por shumica e parave shkojnë për lojtarë e trajnerë të huaj. Skuadrat mbajnë të huaj edhe në rastet kur e plotësojnë limitin. Pra mbajnë rezervë, edhe jashtë 12-shes. Dhe kështu hapësira për basketbollistët e vendit, sidomos të rinjtë, vazhdon të jetë shumë e vogël. Në shumicën e kohës nuk ka fare hapësirë për të rinjtë e vendit. Kështu lojtarë të rinj kosovarë që dalin në skenë, përkatësisht që bëhen bartës në skuadrat e mëdha të vendit, thuajse nuk ka. Dhe kjo del në pah sa herë që Kosova luan ndeshje ndërkombëtare. Në përfaqësuese zënë vend edhe lojtarë që në skuadrat e tyre kanë rol fare të vogël. Këtë e mundëson konkurrenca e zbehtë për vend në përfaqësuese, përkatësisht numri shumë i limituar i lojtarëve cilësorë të vendit.
Situata sa shkon e rëndohet, për shkak të fokusimit të skuadrave në lojtarë të huaj, përkatësisht në amerikanë.
Kosova ka humbur edhe në të kaluarën nga përfaqësuese të vendeve që basketbollin nuk e kanë shumë të zhvilluar. Por humbje më të rëndë vështirë që mund të ketë pësuar.
Ndërkohë, Zvicra e fitoi edhe ndeshjen e dytë. E mposhti Irlandën të dielën në Dublin me rezultatin 86:63. Situata në përfaqësuese nuk pritet të ndryshojë deri më 21 nëntor, kur Kosova është mysafire e Zvicrës. Zvicra tashmë është favorite për vendin e parë në grup, përkatësisht për të avancuar tutje në parakualifikime.
Te Kosova, përkatësisht në FBK, u mbetet të gjejnë mënyrë për të rritur numrin e lojtarëve cilësorë të vendit. Ndoshta duke limituar numrin e të huajve në skuadra dhe njëkohësisht duke garantuar minuta për të rinjtë e vendit. Natyrisht, basketbollistët e rinj të vendit duhet të punojnë dukshëm më tepër për të rivalizuar të huajt cilësorë e shumë të paguar.