Prishtinë, 7 mars – Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka dalë me qëndrim të hënën, pas zhvillimeve të ditëve të fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës.
FFK-ja ditë më parë caktoi 6 prillin si datë të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar, ndërsa vendimi u përcoll me reagime të shumta. U vlerësua edhe i paligjshëm.
Para se KOK-u të dalë me qëndrimin e butë, të hënën në mëngjes klubi i futbollit Vitia ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kërkuar anulimin e datës së zgjedhjeve për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës.
KOHA ka siguruar padinë e dorëzuar të hënën nga klubi Vitia, që pretendon se caktimi i mbajtjes së zgjedhjeve më 6 prill është vendim i kundërligjshëm.
Në KOK nuk kanë dhënë vlerësim nëse është shkelur Statuti i FFK-së, siç pretendohet nga drejtori sportiv dhe këshilltari i lartë ligjor i FFK-së, Eroll Salihu, e po ashtu nga kandidati për kryetar të FFK-së, Arianit Ahmeti.
KOK-u ka bërë thirrje që të zbatohen aktet normative të Federatës së Futbollit të Kosovës bazuar në dispozitat e dala nga Ligji i sportit. Por, nuk ka përmendur Statutin e FFK-së.
“Komiteti Olimpik i Kosovës është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila ka thirrur Kuvendin e Rregullt Zgjedhor për t’u mbajtur më 6 prill 2022. KOK-u si institucioni më i lartë sportiv në vend kërkon që të zbatohen aktet normative të FFK-së bazuar në dispozitat e dala nga Ligji i sportit. KOK-u e ka për obligim të monitorojë kuvendet e rregullta të punës dhe ato zgjedhore të federatave sportive, por jo edhe të interpretojë statutet e federatave. KO K-u beson se Federata e Futbollit e Kosovës, si më masivja në vend, do ta kalojë këtë situatë në frymën e ‘fair play-it’ sportiv”, thuhet në qëndrimin e KOK-ut.
KOHA ka kërkuar qëndrim edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), që po ashtu është monitoruese e kuvendeve të punës dhe zgjedhore të federatave. Por nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje KOHA nuk ka marrë as nga prokurori Besim Kelmendi e as nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Nuk janë përgjigjur as ministri Hajrulla Çeku e zëvendësministrja Daulina Osmani.
Për akuzat e rënda të Salihut në drejtim të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, dhe Komitetit Ekzekutiv që ai udhëheq, nuk është deklaruar as Federata.
Eroll Salihu të dielën në emisionin “Sporti Total” në Kohavision ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kryetarit aktual të FFK-së, Agim Ademi. Ish-sekretari i FFK-së, që tani e mban pozitën e drejtorit sportiv dhe të këshilltarit të lartë ligjor, ka thënë se asgjë në FFK nuk ka shkuar mirë në tre vjetët e fundit, sa është Ademi në krye të këtij institucioni.
Në fakt, KE i FFK-së të hënën mori vendim për suspendimin për gjashtë muaj të Salihut. Sipas njoftimit, Salihu ka bërë shkelje të Kodit të Etikës. Në njoftim thuhet se Salihu ka shkelur urdhëresën e FFK-së, ku u ndalohet zyrtarëve të FFK-së të deklarohen për media pa marrjen e pëlqimit nga drejtuesit e FFK-së.
“Asgjë nuk ka shkuar mirë tashmë tre vjet në FFK. Gjithmonë probleme, me vota, me gjykime e me çdo lloj pengese. Ne kemi tentuar të gjitha që t’i kalojmë, por emëruesi i përbashkët i të gjitha problemeve është Agim Ademi. Ai nuk duhet me u hidhëruar nga unë e as nga askush. Nuk jemi ne fajtorë që ai ka probleme me ligjin. Ne e kemi përkrahur të gjithë, por ai i ka tejkaluar të gjitha”, u shpreh Salihu, ndër të tjera.
Salihu u ka bërë thirrje delegatëve të klubeve që të mos marrin pjesë muajin tjetër në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së. Salihu insiston se Kuvendi i thirrur është i paligjshëm. Sipas tij, Kuvendi Zgjedhor duhet të mbahet më 6 korrik dhe jo më 6 prill, siç është thirrur.
“Unë i kisha ftuar klubet që mos t’i përgjigjen Kuvendit që është caktuar më 6 prill, sepse është i jashtëligjshëm. Unë mendoj që Kuvendi duhet të mbahet më 6 korrik. Çdo ankesë e çdo klubi që i mohohet vota në korrik ka drejtë t’iu drejtohet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komisionit të Arbitrazhit Sportiv ku unë jam kryetar, por edhe FIFA-s dhe UEFA-s e po ashtu edhe Gjykatës Themelore. Askush nuk e kupton se pse po bëhet kjo me dallavere, kur mund të bëhet me rregull. Qe dy muaj është duke shkuar prej një klubi në klubin tjetër për të kërkuar vota për mbështetje në Kuvend pa u shpallur fare dhe kjo është shkelje e rëndë e detyrës zyrtare”, shtoi Salihu, i cili ia ka shkruar tri letra Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
Salihu insiston se Komiteti Ekzekutiv i FFK-së është organi që e ka mbajtur kryetarin Ademi edhe kur ai ishte i dënuar me burgim efektiv. Agim Ademi ishte dënuar me nëntë muaj burgim efektiv për veprën penale “detyrim në tentativë”. Por rastin e kishte kthyer në rigjykim Gjykata Supreme në vitin e kaluar.
Sipas Salihut, KE-ja ka mundur t’i shpallë zgjedhjet në ditën kur vendimi është bërë i ditur për Ademin. Salihu thekson se Ademi ka qenë i dënuar edhe nga Shtëpia Evropiane e Futbollit - UEFA për dy vjet e gjysmë. Ishte kreu i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ai që ia kishte kërkuar dorëheqjen.
“Edhe Çeferini i ka thënë që duhet të japësh dorëheqje, edhe pse ai e ka përdorur kinse Çeferini e ka mbështetur, por kjo është e pavërtetë. Agim Ademit i është hapur një procedurë nga një gjykatëse e Turqisë dhe kur mediat më kanë pyetur dhe e dini që klubet nuk kanë dashur as të flasin me kryetarin e as Komitetin, por vetëm me mua. Unë iu kam thënë klubeve që nuk ka asnjë letër në FFK prej UEFA-s, por faktikisht ai e kishte fshehur letrën prej meje duke iu thënë që as Erollit mos ia dërgoni, por unë jam anëtar i Komisionit Ligjor të UEFA-s. Hapja e procedurës disiplinore ishte për arsye që ai nuk jepte dorëheqje. Pas kësaj Komisioni Disiplinor i UEFA-s e ka dënuar me dy vjet e gjysmë largim nga të gjitha funksionet e futbollit për shkelje të rënda të parimeve”, thotë Eroll Salihu, që është gjatë në poste drejtuese në FFK.