Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendbollistët e rinj, të fundit në Evropianin e Divizionit B

Ka përfunduar edhe një ngjarje ndërkombëtare për sportistët e rinj kosovarë.

Dhe si në shumicën e ngjarjeve të kësaj vere, suksesi ka munguar.

Përfaqësuesja U18 e Kosovës në hendboll (djemtë) të dielën e ka mbyllur Kampionatin Evropian të Divizionit B, në Letoni.

Ka mbetur e fundit, përkatësisht e shtata.

Në ndeshjen për vend të gjashtë, Kosova U18 ka pësuar nga Belgjika. Belgët fituan me shifrat 30:25, ndonëse pas pjesës së parë Kosova po fitonte bindshëm, 15:9.

Në pjesën e parë Kosova U18 ka pasur epërsi deri në shtatë gola. Shtatë gola i kishte epërsi edhe në fillim të pjesës së dytë.

Por më pas lojtarët kosovarë janë ndalur plotësisht. Belgjika me seri të jashtëzakonshme për hendboll, prej 13:0, ka kaluar në avantazh bindës dhe në fund ka fituar.

Kosova i ka humbur edhe tri ndeshje në grup dhe kështu nga Letonia largohet pa fitore.

“Në disa ndeshje djemtë tanë kanë dëshmuar se megjithatë kanë të ardhme. Shumica e lojtarëve janë ende 16-vjeçarë dhe për ta Evropiani U18 është një përvojë shumë e rëndësishme për karrierën e mëtejme. Prej kësaj gjenerate megjithatë pritet shumë. Për shkak të vështirësive që klubet i hasën gjatë pandemisë, ka pasur një shkëputje në punën me të rinj dhe kjo po vërehet tani. Por angazhimi i të gjithëve është që situata të kalohet dhe të kthehemi në rrugën e duhur”, ka shkruar Federata e Hendbollit e Kosovës.

Pa fitore, Evropianin e Divizionit B e kishte mbyllur edhe përfaqësuesja U20 e Kosovës në hendboll.

Artikuj të ngjashëm