Sport

Hendbollistët e Kosovës të gatshëm për ndeshjen vendimtare

Prishtinë, 25 prill - E madhe ishte puna që hendbollistët e Kosovës bënin të dielën pasdite në Prishtinë. Edhe më e madhe është dëshira e tyre për të arritur fitore në ndeshjen mbase më të rëndësishme në karrierë.

Kosova të mërkurën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë e pret Malin e Zi, në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit tjetër.

Kosova po synon kualifikimin e parë në Evropian në të gjitha sportet, ndërsa ndeshja vendimtare llogaritet ajo me Malin e Zi. Për ndeshjen ndaj malazezve, “Dardanët” kanë nisur përgatitjet të mërkurën.

Ndeshjen hapëse të kualifikimeve, të luajtur më 4 nëntor në Podgoricë mes Malit të Zi dhe Kosovës, e kanë fituar malazeztë.

“Jemi të gatshëm për ndeshjen që për ne do të thotë shumë. Është me rëndësi për ne dhe për sportin kolektiv në përgjithësi të Kosovës. Duhet ta japim maksimumin në ndeshjen kundër Malit të Zi. Atmosfera në Përfaqësuesen tonë është shumë e mirë dhe mendoj se këta djem do ta japin maksimumin, sepse ky është një rast që vjen njëherë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë. Duhet të bëjmë çmos për ta fituar këtë ndeshje”, ka thënë trajneri i Kosovës, Fatmir Muhaxheri për KOHËN.

Kosova të dielën e ardhshme luan në udhëtim me Suedinë, nënkampionen në fuqi të botës. Por fitorja me Malin e Zi me shumë mundësi do të ishte e mjaftueshme për kualifikim. Ndaj Suedisë gjasat për sukses thuajse nuk ekzistojnë.

Trajneri Fatmir Muhaxheri po i udhëheq grumbullimin dhe stërvitjet në mungesë të përzgjedhësit Bujar Qerimi. Qerimi mungon shkaku i gjendjes shëndetësore. Ai e ka kaluar koronavirusin javë më parë, por e kishte të pamundur të udhëtonte nga Belgjika, ku edhe jeton. Me portierët po punon Veton Hajrizi.

“Grupi është shumë i mirë dhe i njëjti siç ishim kundër Rumanisë, e njohim njëri-tjetrin. Jemi si një familje dhe me punë kemi arritur të jemi këtu. Është ndeshje e karrierës për ne dhe duhet të fitojmë të mërkurën. Jemi përgatitur mjaft mirë, i dimë forcat tona. Arritëm të fitojmë në Rumani dhe këtu morëm një barazim. Nuk do të ishte surprizë nëse arrijmë fitore edhe ndaj Malit të Zi. Fitorja është synimi i vetëm për ne”, ka thënë hendbollisti Egzon Gjuka.

Kualifikimi do të ishte sukses historik, pasi ende asnjë përfaqësuese kosovare nuk është kualifikuar në Evropian në sporte ekipore. E hendbollistët e Kosovës shpresojnë të jenë të parët që do ta shkruajnë historinë e sportit kosovar.

“Ndeshjet që i kemi zhvilluar kundër Rumanisë kanë dëshmuar që ne kemi kualitet dhe grupi ynë që gjendet këtu është në nivel të lartë. Jemi duke përjetuar majat e karrierës dhe shpresojmë të bëjmë diçka të mirë. Shpresoj ta arrijmë suksesin e njëjtë siç arritëm me U21, ku u kualifikuam në Botëror e tani me Përfaqësuesen A në Evropian. Jemi bërë si një familje dhe ashtu duhet të luajmë edhe ndaj Malit të Zi”, ka theksuar hendbollisti tjetër i Kosovës, aloja Lulzim Shabani.

Në fakt, fitorja në Bukuresht ndaj Rumanisë e ka futur Kosovën në garë për kualifikim. Kosova aktualisht është e treta në grupin e tetë kualifikues me tri pikë, sa i ka edhe Rumania në vend të dytë. Udhëheq Suedia me gjashtë pikë, kurse Mali i Zi i ka dy pikë në vend të fundit. Suedia e Mali i Zi i kanë luajtur nga tri ndeshje, ndërsa Kosova e Rumania nga katër. Dy të parët në grup kualifikohen, e po ashtu katër prej tetë përfaqësueseve më të mira të vendeve të treta nëpër grupe. Me fitore eventuale të mërkurën Kosova do ta siguronte vendin e tretë dhe do të ishte në garë për të dytin. Me vendin e tretë kualifikimi do të varej nga rezultatet e grupeve të tjera.

“Kosova ka forcë të madhe dhe po rritet çdo vit e më shumë. Besoj se mund të arrijmë sukses kundër Malit të Zi. Mali i Zi është ekip i mirë dhe i fortë, por ne do të bëjmë analizë të thukët për të parë pikët e dobëta të tyre”, është shprehur portieri Liridon Zena.

Kosova i mbyll eliminatoret më 2 maj me ndeshjen në udhëtim ndaj Suedisë, një prej përfaqësueseve më të mira botërore aktualisht.

Ekipi i Kosovës është grumbulluar të dielën mbrëma kur nga Zvicra janë bashkuar Valon Dedaj, Haris Berisha e Drenit Tahirukaj.