Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendbollistët kosovarë mposhten në ndeshjen e parë në Sllovaki

Hendbollistët e Përfaqësueses së Kosovës kanë pësuar humbje në ndeshjen e parë ndaj Sllovakisë në kuadër të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2025. Në përballjen e luajtur në Povaszka Bystrica të Sllovakisë, Kosova ka pësuar humbje me rezultatin 33:23. Sllovakët ishin më të mirë se Kosova gjatë gjithë takimit dhe epërsia e krijuar në ndeshjen e parë prej dhjetë golave, me një këmbë i kualifikon në fazën tjetër. Ndeshja e kthimit mes këtyre dy përfaqësueseve do të zhvillohet të dielën në Prishtinë dhe Kosova do ta ketë një mision të vështirë për ta eliminuar Sllovakinë në fazën e parë.

“Nuk marrim rezultatin e synuar në Sllovaki. Shpresojmë për një paraqitje dukshëm më të mirë të dielën në Prishtinë”, ka shkruar Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) në Facebook pas disfatës nga Sllovakia në ndeshjen e parë.

Sllovakia e nisi mirë ndeshjen dhe krijoi shkëputje në rezultat qysh në fillim. Pjesën e parë, Sllovakia e përfundoi me gjashtë gola epërsi – 15:9. Dominimin Sllovakia e vazhdoi edhe në pjesën e dytë dhe arriti ta ngrit epërsinë në dhjetë gola për ta fituar ndeshjen përball Kosovës.

“Nuk mendoj se ka qenë rezultat real, por në bazë të lojës që kemi bërë ky është rezultati i merituar që i kemi marrë. Sllovakia na ka ndëshkuar me kundërsulme të shpejta, ne nuk patëm organizim të mirë në mbrojtje. Po shpresoj të dielën në shtëpi të marrim një rezultat më të mirë, të arrijmë se paku një fitore dhe të tregojmë se kjo loja nuk ishte ajo çfarë ne mund të bëjmë”, ka thënë portieri i Kosovës, Haris Berisha.

Më efikasi te Sllovakia ishte Jakub Prokop me 7 gola të shënuara, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe Tomas Smnetanka e Juraj Briatka. Smetanka realizoi 6 gola, ndërsa Britaka shtoi pesë sosh në triumfin e Sllovakisë. Në anën tjetër, te Kosova u veçuan Kushtrim Ninaj e Egzon Gjuka. Ninaj shënoi 5 gola nga 6 tentime, ndërsa Gjuka prej 9 tentimeve, realizoi po ashtu 5 gola. Kastriot Jupa, i cili ishte kapiten i Kosovës në këtë ndeshje, realizoi 3 gola nga po aq tentime sa i pati. Me nga 2 gola, ndeshjen e përfunduan Arbios Mushkolaj, Luigj Quni, Lulzim Shabani, Leonard Gegaj e Shaban Zogaj.

Edhe Kosova mposht Sllovakinë por nuk avancon tutje Sport Kosova mposht Sllovakinë por nuk avancon tutje

“Më vjen keq shumë për rezultatin pasi për atë që jemi marrë vesh nuk e kemi realizuar. Kemi qenë në momente shumë stereotip dhe sulmet i kemi luajtur si te ishim në Prishtinë, me shumë nguti, shumë pak lojë një me një, kryqëzime kemi pasur jashtëzakonisht pak dhe ky është rezultati që është. Mendoj se Sllovakia nuk e ka fuqinë në krahasim me ne, por ne nuk ishim në nivelin tonë, sidomos në sulm pasi mbrojtja ishte e mirë. Na kanë ndëshkuar me kundërsulme prej gabimeve tona dhe besoj se duhet shumë shpejt t'i përmirësojmë gjërat, sidomos disa lojtarë të kenë pak angazhim më të mirë dhe ta ndërrojnë qasjen ndaj lojës në Prishtinë”, ka thënë selektori i Kosovës, Bujar Qerimi.

Kosova në këtë ndeshje ishte pa katër hendbollistë kryesorë, të cilët nuk janë grumbulluar me ekipin. Drenit e Drilon Tahirukaj nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës, ndërsa Bujar Ramosaj e Valon Dedaj nuk kanë mundur të grumbullohen, por që pritet të jenë pjesë e Kosovës për duelin e së dielës që nis në orën 17:00.