Sport

Hendbolli i kthen shikuesit për finalet e Kupës

Të dielën, më datën 28 qershor kur edhe shfuqizohet vendimi që obligonte zhvillimin e aktiviteteve sportive pa praninë e publikut, hendbolli do të hapë dyert për shikuesit, duke u bërë sporti i parë në Kosovë që ndërmerr një veprim të tillë në këtë kohë pandemie. Në fakt, shikuesit do të jenë në gjendje që t’i përcjellin nga tribunat ndeshjet finale të Kupës së Kosovës në të dyja konkurrencat, që zhvillohen në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Izet Gjinovci të premten për “Kohën”.

Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin që obligonte zhvillimin e aktiviteteve sportive pa praninë e publikut. Në fakt, të martën në mbrëmje, Ekzekutivi e ka votuar propozimin e Ministrit të Shëndetësisë (MSH), Armend Zemaj, i cili do të hyjë në fuqi që nga 28 qershori. Sipas Zemajt, ky vendim ka ardhur pas rekomandimeve që ka marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

Superliga e Kosovës në futboll, hendboll dhe volejboll janë sportet e vetme kolektive që kanë nisur aktivitet për t’i mbyllur sezonet. Që nga lejimi i aktiviteteve sportive, ndeshjet janë luajtur pa praninë e shikuesve, kurse nga e diela e 28 qershorit, nuk do të ketë më ndalesa nga organet shtetërore dhe u mbetet federatave përkatëse që të vendosin lidhur më këtë çështje.

Përderisa Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe ajo e volejbollit (FVK) nuk pritet t’i kthejnë tifozët për këtë edicion për shkak të situatës aktuale me pandeminë, hendbolli do ta bëjë një gjë të tillë por duke iu përmbajtur të gjitha masave të manualit për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. FVK-ja, të paktën nuk do të jetë me tifozë deri në ndeshjet finale që do të nisin javën e ardhshme, por gjithçka do të varet nga situata me pandeminë.

Megjithatë, sekretari i FHK-së, Gjinovci, ka bërë të ditur se numri i tifozëve në finalen e së dielës do të jetë i limituar. Të shtunën (sot) do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale në të dyja konkurrencat: te meshkujt do të takohen Kastrioti – Besa Famgas (17:00) dhe Trepça – Prishtina (19:00) derisa te femrat, përballen Istogu – Kastrioti (13:00) e Vushtrria – Prishtina (15:00).

“Pasi MSH-ja ka lejuar, edhe ne do t’i kthejmë tifozët për ndeshjet finale që do të luhen të dielën, por normalisht me disa parakushte. Kuptohet me masa, duke respektuar distancën sociale dhe dezinfektuar palestrën para fillimit të ndeshjeve. Gjithashtu, numri i tifozëve do të jetë i limituar 400-500 sosh. Do t’i kthejmë tifozët, për shkak se edhe ndeshjet finale e kanë karakterin festiv, që këtë sezon të pandemisë ta përmbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Gjinovci.