Ashtu si pritej, ndeshja e parë e stinorit pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll ishte dramatike. Të shtunën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet u takuan Prishtina e Trepça, dy skuadrat e kreut të tabelës. Ndeshja derbi e xhiros së 15-të nuk ka dhënë fitues. Ka përfunduar me rezultatin 34:34. Në 10-të minutat e fundit mitrovicasit arritën që falë angazhimit të madh të shkrijnë epërsinë prej tre golave të vendasve për të barazuar në 33:33.
Fundi ishte dramatik me Prishtinën që shënoi me Agon Bajçinovcin për 34:33 derisa në aksionin e fundit mitrovicasit fituan penallti.
Përgjegjësin e mori Muhamed Dubovci që realizoi për 34:34.
Ai ishte më efikasi te mitrovicasit me 9 gola. Shtatë gola i realizoi pivoti Sali Maxhera. Gjashtë gola i shtoi Shpëtim Mehmeti.
Te Prishtina më efikasi ishte Oltion Beshiri me 8 gola. Festim Mustafa e aloja Lulzim Shabani shënuan nga gjashtë herë.
Fillimi i ndeshjes u takoi mysafirëve që ishin në epërsi të lehtë deri në minutën e 11-të. Më pas më shumë nga loja kishte Prishtina, që e mbajti epërsinë deri në fund të pjesës së parë. Pas 30 minutave lojë, rezultati ishte 17:14 për Prishtinën. Njëjtë vazhdoi edhe pjesa e dytë, me prishtinasit në avantazh.
Me barazim, Trepça e ruan pozitën e dytë në tabelë. I ka 25 pikë, sa edhe Prishtina në pozitën e tretë.