Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi, ka shpallur listën për ndeshjet miqësore me Kuvajtin.
Disa lojtarë të rëndësishëm te “Dardanët” mungojnë në këto ndeshje për shkak të obligimeve në klubet e tyre. Ndërkohë, përzgjedhësi Qerimi ka ftuar lojtarë që kanë shfaqur formë të mirë në stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll.
Për herë të parë te “Dardanët” janë ftuar Matej Taçi, që bën karrierë në Kroaci, dhe portieri Elvir Muça Kuliq që luan në Suedi.
Ndërsa ftesë kanë marrë edhe Sali Maxhera, Festim Mustafa, Agon Bajqinovci, Florian Rexha dhe Shaban Zogaj, talenti që po zhvillohet hovshëm në Danimarkë.
Kosova të premten e të dielën luan miqësore me Kuvajtin në Podogoricë të Malit të Zi.
Grumbullim tjetër do të ketë Kombëtarja në fund të dhjetorit. Ka gjasa të luhen dy ndeshje miqësore me Arabinë Saudite, ndërsa në fillim të janarit janë ndeshjet kualifikuese me Greqinë, Belgjikën e Turqinë.