Janë luajtur ndeshjet e fundit në grupet një e dy në raundin kryesor të Kampionatit Botëror në hendboll. Prej grupit të parë në çerekfinale kanë kaluar Franca e Spanja.
Franca e ka fituar grupin me dhjetë pikë, ndërsa Spanja mbeti e dyta me tetë pikë. Franca e Spanja u përballën të dielën mbrëma në Krakow të Polonisë. Fitore me rezultat 28:26 shënoi Franca. Portieri Vincent Gerard shkëlqeu me mbi 15 pritje.
Ndërkohë grupin e dytë e fitoi Suedia me dhjetë pikë. Në çerekfinale ka kaluar edhe Hungaria që mblodhi gjashtë pikë, sa edhe Islanda e vendit të tretë.
Hungaria të dielën fitoi 42:30 ndaj Kepit të Gjelbër, ndërsa Islanda e mposhti Brazilin me rezultatin 41:37. Suedia ka vazhduar me formë të lartë, duke e mposhtur Portugalinë me rezultat 32:30. Kjo ndeshje u luajt në Goteburg para 11.670 shikuesve.
Të hënën janë ndeshjet e fundit në grupet tre e katër.